Në këtë tryezë të organizuar nga Bordi Nacional për Kontroll të Kancerit (MSh ) dhe Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) – Zyra në Kosovë, u bë thirrje për organizim të akterëve në Kosovë, për parandalimin, diagnozën dhe trajtimin e kancerit të qafës së mitrës, në Kosovë
Prishtinë, 27 janar 2015
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani sot mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Bordi Nacional për Kontroll të Kancerit (MSh ) dhe Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) -Zyra në Kosovë, me rastin e shënimit të Javës Evropiane për Skrining të Kancerit të Qafës së Mitrës.
Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, tha se luftimi i kancerit është një problem që po sfidon mbarë botën, ndërsa sa i përket Kosovës, me përkrahjen e Ministrisë së Shëndetësisë është themeluar Instituti i Onkologjisë si dhe është arritur të ngrihen shërbimet që mbulojnë trajtimin e kancerit përfshirë shërbimet kirurgjike, ato të kimio-terapisë dhe radioterapisë.
Ministri Rrahmani ka theksuar, gjithashtu, edhe punën e Bordit për Kontroll të Kancerit të ngritur nga MSh me punën e të cilit është arritur të regjistrohen edhe të dhënat për sëmundjen e kancerit në Kosovë.
“Organizime të tilla janë të mirëseardhura dhe vlerësojë se kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes së popullatës dhe të organizimit të punëve në mes nesh, që rezultatet të jenë të suksesshme. Andaj MSh, gjithherë do të jetë e përkushtuar në bashkëpunimin me të gjitha organizatat që kanë qëllim të sensibilizimit dhe edukimit të popullatës në shëndetësi”, tha ministri Rrahmani
Dr. Visare Mujko-Nimani (UNFPA), ka pasqyruar mbështetjen që kjo zyrë i ka dhënë fuqizimit të sektorit shëndetësor në Kosovë, përfshirë parandalimin e kancereve të traktit riprodhues. Së fundi, UNFPA ka mbështetur realizimin e vlerësimit të situatës lidhur me kapacitetet ekzistuese për parandalim dhe kontroll të kancerit të qafës së mitrës, gjirit dhe prostatës në Kosovë.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë dr. Naser Ramadani, ka bërë thirrje që të rritet shkalla e ndërgjegjësimit dhe të ndërmarrin hapa konkret që do të ndikojnë në zvogëlimin e rasteve të Kancerit të qafës së mitrës, duke siguruar mundësi të njëjta shërbimesh cilësore për të gjitha pacientet, ngritja e nivelit të vetëdijesimit për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës në të gjitha institucionet, mbështetja e programit të zbulimit të hershëm si dhe integrimin e depistimit dhe diagnozës së hershme të kancerit të qafës së mitrës dhe inkurajimi i të gjitha grave për të bërë Pap-Testin.
Prof. Dr. Shefqet Lulaj, Kryetar i Shoqatës së Gjinekologëve dhe Obstetërve të Kosovës, tha se me një organizim të koordinuar duke marrë përgjegjësit e veta secili nivel do të arriheshin rezultatet e dëshiruara, duke ju drejtuar edhe televizioneve për organizimin emisione edukativo-shëndetësore, të cilat do të kishin efekt të madh në ngritjen e njohurive për ruajtjen e shëndetit te popullata.
Dr. Elvis Ahmedi, kryetar i Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit ka prezantuar parimet e përgjithshme te skriningut, ku ndër të tjera ka thënë se nga të gjitha tumoret malinje, efektiviteti më i lartë i kontrollit me skrining arrihet për kancerin cervikal. “Me një skrining citologjik mirë të organizuar, i bazuar në popullatë çdo 3-5 vjet, mund të reduktojë incidencën deri në 80%”, ka thënë dr. Ahmedi, i cili është bazuar në të dhënat e (IARC, 2005)
Prof. Dr. Myrvete Paçarada, Drejtoreshë e Klinikës Gjinekologjike Obstetrike të QKUK-së, ka thënë se për të pas efekt vetëdijesimi i popullatës duhet të kemi edhe ne një organizim më të mirë në mes institucionesh.
Dr. Memli Morina– Gjinekolog, ka bërë prezentimin e shkaqeve të paraqitjes së kancerit të qafës së mitrës, mënyrat si bëhet parandalimi dhe zbulimi i hershëm, dhe metodologjitë e trajtimit të këtij lloji të kancerit.
Rekomandimet e dala nga vlerësimi i situatës lidhur me kapacitetet ekzistuese për parandalim dhe kontroll të kancerit të qafës së mitrës, gjirit dhe prostatës në Kosovë, i prezentoi Dr. Zarife Miftari nga UNFPA. Rekomandimet përfshijnë këto çështje:
Në fund të takimit u bë edhe përmbledhja e rekomandimeve si në vijim; fuqizimi i Bordit për Kontroll të Kancerit, fuqizimi i kapacitete si në diagnostikim ashtu edhe në trajtim, ngritja e resurseve të reja, aparaturave, përgatitjet për skrining programe, sigurimi i mbështetjes së plotë politike dhe financiare, etj.
Tryeza u organizua për të shënuar Javën Evropiane për Skrining të Kancerit të Qafës së Mitrës, qëllimi i së cilës është sensibilizimi i popullatës së përgjithshme, punëtorëve shëndetësorë dhe vendimmarrësve lidhur me kancerin e qafës së mitrës dhe mënyrës së parandalimit të tij.