Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

U mbajt tryezë shkencore për Muajin e luftës kundër Kancerit të Gjirit

Prishtinë, 26 tetor 2017

Organizuar nga Bordi Nacional për Kontroll të Kancerit (BNKK) i Ministrisë së Shëndetësisë sot në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës QKUK-SHSKUK u mbajt tryezë shkencore për të shënuar Muajin e luftës kundër Kancerit të Gjirit.

Zëvendësministri i Shëndetësisë dr. Granit Abdullahu, tha se promovimi i shëndetit dhe parandalimi janë masa kost-efektive në kuadër të shëndetit publik, të cilat kanë të bëjnë me identifikimin në faza të hershme të zhvillimit të sëmundjes si dhe të ndikohet në zvogëlim të rrezikut për kancer, ashtu edhe zvogëlimin e ngarkesës e cila i shkaktohet buxhetit.
Ai tha se në kuadër të Strategjisë Sektoriale Shëndetësore 2017-2021 të Ministrisë së Shëndetësisë, objektivi i parë ka të bëjë me ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të popullatës dhe në këtë objektiv përfshihen edhe aktivitetet që kanë të bëjnë me parandalimin dhe zbulimin sa më të hershëm të sëmundjes së kancerit.

Zëvendësministri Abdullahu theksoi se MSh ka formuar edhe grupet punuese për skrining të kancerit të gjirit, për të zhvilluar dhe zbatuar aktivitetet konkrete për ballafaqim sa më gjithë-përfshirës kundër kësaj sëmundjeje.

Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kerliu, Kryesuese e Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit (BNKK) dhe njëherësh dekane e Fakultetit të Mjekësisë (UP), tha se Bordi i ri ka përditësuar programin Nacional për Kontroll të Kancerit si dhe ka përcaktuar prioritetet dhe planin e veprimit të tyre, duke u bazuar në tendencat bashkëkohore të zhvillimit të onkologjisë në botë.

Ajo theksoi se, për herë të parë, Kosova është përfshirë si shtet në Raportin e Progresit të Deklaratës Botërore mbi kancerin 2016 të Unionit Internacional të Kancerit-UICC, krahas shteteve të tjera raportuese, duke kontribuar në uljen e barrës globale ndaj kancerit.

“Me këtë, Kosova ka bërë një progress drejt objektivave të parapara më 2008, por duhet shkuar tutje në angazhimin tonë nacional për të përmbushur 9 synimet e përcaktuara me këtë deklaratë deri në vitin 2025, duke e ulur incidencën e kancerit për 25%”, tha profesoresha Manxhuka.

Në këtë tryezë ku u trajtuan në rrafshin professional tema që lidhen me diagnostikimin e kancerit të gjirit; kriteret e klasifikimit histopatologjik dhe raportimit; trajtimin e kancerit të gjirit; kujdesin paliativ; programet e skriningut, etj., u tha se zbulimi i hershëm është rruga më e mirë dhe më kost-efektive për ballafaqimin me sukses në luftën kundër kancerit të gjirit dhe mbijetesës të të prekurve.