Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

U mbajtën “Ditët e Infermierisë Familjare”

Dr. Lulzim Çela, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, ka theksuar rëndësinë e avancimit të mëtejmë të rolit të infermierisë në Kujdesin Parësor Shëndetësor, duke theksuar po ashtu edhe nevojën që kapacitetet profesionale të kësaj kategorie të vijës së parë të shërbimeve shëndetësore të ngriten në vazhdimësi, në përputhje me qasjet e reja në Kujdesin Parësor Shëndetësor.

Dr. Niman Bardhi, koordinator i trajnimit infermierik në Kujdesin Parësor Shëndetësor (KPSH-QEVI-MSH), ka prezantuar para pjesëmarrësve të këtij takimi aspektet që kanë të bëjnë me ofrimin e cilësisë së shërbimeve bazuar në skenarin global të kujdesit shëndetësor.

Ai ka theksuar nevojën e ngritjes së përkushtimit për vetëdijesim dhe funksionim sa më të avancuar të shërbimeve shëndetësore të nivelit primar, me qëllim të parandalimit dhe mbajtjes nën kontroll të sëmundjeve të ndryshme si atyre të sistemit respirator, kardiovaskular, kancerit dhe sëmundjeve të tjera kronike.

 Përfaqësues të QKMF-ve nga rajone të ndryshme të Kosovës kanë trajtuar edhe aspekte të tjera që lidhen me rolin e infermierisë në Kujdesin Parësor Shëndetësor, çështje që lidhen me shëndetin dhe mjedisin dhe aspekte të tjera të rëndësisë profesionale.

Ky takim, që është mbajtur me moton  “Ofrimi i cilësisë në shërbim të bashkësisë-Infermieria udhëheq kujdesin kronik”, ka nxjerrë edhe rekomandimet e veta që kanë për qëllim ngritjen e mëtejme të cilësisë dhe arritjen e standardeve të përkujdesjes shëndetësore në Kujdesin parësor Shëndetësor dhe implementimin e njohurive dhe shkathtësive të infermierëve në komunitet.