Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

U prezantuan rezultatet e Projektit: Qasja gjithëpërfshirëse në shëndetësi

Dr. Ilir Tolaj, Sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se  ky projekt sërish ka vënë në pah kompleksicitetin dhe sfidat e shëndetësisë dhe të Ministrisë së shëndetësisë të Republikës së Kosovës.

“Shëndetësia kosovare ballafaqohet me probleme të shumta, ajo nuk është prioritet shtetëror, ka një financim shumë të ulët – të varfër, kapacitete njerëzore i ka të kufizuara, përkrahja e donatorëve është në rënie, të gjitha këto në kohen kur nga të gjithë ne, kërkohen veprime e ndryshime zhvillimore, reformuese që do ta ngrenë sistemit shëndetësor të Kosovës në nivel me sistemet shëndetësore të shteteve të zhvilluara dhe në nivel që e meritojnë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

 

Ky projekt, theksoi ai,  na ka vënë në dispozicion qëndrimet dhe rekomandimet se çfarë është fisibile e çfarë nuk është, por edhe rekomandime se çfarë duhet bërë për t`iu qasur ndryshimeve që përkrahin rrugëtimin reformues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe sistemit shëndetësor në tërësi.

“Të gjeturat e këtij projekti shpesh tingëllojnë kritike dhe vënë në pah dobësitë tona sistemore (e jo edhe anët e mira të sistemit shëndetësor të Kosovës). Por, kjo nuk do të na dekurajoj, përkundrazi do të na shërbejnë si udhërrëfyes për t’u sfiduar dhe për t’i tejkaluar pengesat në mënyrë që ta bëjmë sistemin tonë shëndetësor më të mirë më efikas dhe më përgjegjës ndaj kërkesave të shumta që janë para nesh”, tha dr. Tolaj.

 

Znj. Carole Poullaouec, udhëheqëse e Ekipit për Zhvillim Social në Zyrën e Komisionit Evropian, ka thënë se Projekti i ofron MSH-së elemente shtesë për analizë të kornizës ligjore, vlerësimin e sistemit të informimit shëndetësor dhe rekomandimet se si të ngrihen kapacitetet menaxheriale në sistem.  Komisioni Evropian, ka premtuar më tej ajo, do ta mbështes reformën në shëndetësinë kosovare.

 

Në këtë konferencë , ku kanë marrë pjesë përfaqësues edhe të OBSH-së , UNICEF-it dhe institucioneve shëndetësore kosovare nga tre nivelet, është bërë prezantimi i rezultateve të Studimit të fizibilitetit, përmes komponentëve të këtij studimi, të cilat janë prezantuar nga David Wildman (ekspert i menaxhimit shëndetësor- SWAP), dr. Lulzim Çela e  Msc. Arbër Rogova, bartës të aktiviteteve përgjegjëse rreth projektit nga MSH-ja, Malcolm Mc Greevy, ekspert i menaxhimit shëndetësor, etj.

 

Pas prezantimeve, është zhvilluar edhe një diskutim për projektin, derisa është ritheksuar se problem kryesor për sistemin shëndetësor të Kosovës mbetet financimi i dobët dhe nevoja për ngritjen e kapaciteteve në menaxhim.