Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

U promovua Udhëzuesi gjithëpërfshirës i kancerit cervikal

Dr. Skënder Syla, shef i OBSH-së për Kosovë tha se problemi i sëmundjes së kancerit mbetet një nga sfidat kryesore të shëndetit në botë, e në këtë aspekt edhe në Kosovë. Ai numëroi tre elementë kryesorë të cilët janë përfshirë në këtë udhëzues: Koordinimi i shërbimeve të kujdesit për kancerin cervikal, ndarja e përgjegjësive dhe fuqizimi i pacientëve dhe familjeve të tyre për hapa preventiv kundër kësaj sëmundje. “Uroj që udhëzuesi të bëhet pjesë e punës tavolinës së punës së secilit mjek”, u shpreh Syla.

Dr. Curr Gjocaj , drejtor i Departamentit të shërbimeve shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë tha se MSh është e vetëdijshme se sëmundja e kancerit, do të jetë sfidë edhe për vitet që vijnë, sidomos duke pasur parasysh jetën gjithnjë e më industriale. “Ministria do të punojë ngusht me partnerët qeveritarë dhe ata joqeveritarë, sektorin privat dhe organizatat profesionale, që në kuadër të politikave të veta, të krijojë infrastrukturën ligjore për hartimin e Programit Nacional për Kontrollin e Kancerit”, tha ai.

Doina Bologna (UNFPA), tha se agjencionet e OKB-së po i ndihmojnë institucionet në hartimin e udhëzuesve të këtillë për luftimin e sëmundjes së kancerit, ndërsa theksoi se inicimi dhe zhvillimi i programeve parandaluese për detektimin e hershëm të kancerit ka një rëndësi të jashtëzakonshme për mbrojtjen e shëndetit publik të popullatës.

Kurse, dr. Sami Uka (OBSH) ka zbërthyer para të pranishmëve qëllimet dhe objektivat  e këtij udhëzuesi, nxjerrja e të cilit është ndihmuar edhe nga Qeveria e Luksemburgut, duke theksuar se OBSH i thërret edhe ato vende që akoma nuk i kanë bërë programet efektive,  që t’i bëjnë ato sipas udhëzimeve që jepen në këtë udhëzues me qëllim që të zvogëlohet barra e rëndë e kësaj sëmundje dhe pasojat e saj.