Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

U shënua Dita Botërore e Ujit

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës , dr. Ferid Agani, tha se çështja e ujit duhet të paraqes njërën prej preokupimeve kryesore të Qeverisë së vendit , pasi që kjo çështje paraqet implikim të drejtpërdrejt për vet shëndetin e qytetarëve  dhe është një çështje që duhet trajtuar me seriozitetin më të madh.
“Askush nuk guxon të jetë i kënaqur me situatën aktuale sa i përket kësaj teme, pasi që edhe raporti i Progresit evidenton se në këtë fushë, pak përparime mund të raportohen”, tha Ministri Agani.

Duke iu referuar të dhënave se vetëm 70 për qind e popullatës në Kosovë konsumojnë ujin nga ujësjellësi publik, Ministri Agani, tha se të gjitha institucionet e kanë për obligim që të përmirësojnë nivelin e qasjes së qytetarëve në ujin e kontrolluar të ujësjellësit dhe të zvogëlohen burimet e infeksioneve, pasi që, shumë prej sëmundjeve që raportohen, apo rreth pesëdhjetë për qind të tyre m theksoi ai, janë të ndërlidhura me faktorët si uji. Ai u zotua se MSH do ta jap përkrahjen adekuate që IKSHP  të themelojë një departament të veçantë për ujin.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, tha se kjo Ministri është e vetëdijshme për problematikën e shkatërrimit të lumenjve, një çështje që kjo do të jetë prioritet për MMPH që lumenjtë dhe ujërat të mbrohen, derisa theksoi se mungesa e ligjeve adekuate është një nga problemet në fushën e trajtimit të ujërave.

Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, ka theksuar se uji është resurs i pazëvendësueshëm për jetën dhe IKSHP bën mbikëqyrjen e vazhdueshme të cilësisë së ujit, ndërkohë që vlerësoi se aktivitete e MSH-së e IKSHP-së janë të sinkronizuara edhe me MMPH në mënyrë që popullata në Kosovë të konsumojë ujë të cilësisë së duhur dhe të ngrihet niveli i qasjes së popullatës në ujin e rrjetit të ujësjellësit publik.

Nait Hasani,  kryetar i Komisionit Parlamentar të Kuvendit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, tha se ky komision do të bashkëpunojë ngusht me Qeverinë në avancimin e atyre politikave që ndihmojnë dhe rregullojnë çështjen e sektorit të ujërave.

Robert Garnet , drejtor për Kosovë i Institutit për Komunitet të Qëndrueshëm, ka mbështetur iniciativat në fushën e trajtimit korrekt të ujërave dhe sidomos fuqizimin e rolit të shoqërisë civile në këtë fushë si partnere.

Në këtë tryezë, janë bërë edhe disa prezantime lidhur me gjendjen e ujit nga IKSHP, SHUKOS, ZRRUM, Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, Green Group, etj.

Ishte konkluzion i përbashkët se Kosova duhet ta këtë sa më parë Ligjin për ujërat dhe në trajtimin e tyre të ketë një qasje vepruese ndër-sektoriale.