Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

U vendos gurthemeli i Klinikës së re Emergjente në Prishtinë

Prishtinë, 15 korrik 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, Zëvendësministri Mevludin Krasniqi, drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, autoritete të larta shëndetësore dhe profesionistë shëndetësor morën pjesë sot në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Klinikës së re Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ky projekt në vlerë prej rreth 8 milionë eurove është investim i Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve të reja në fushën e shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Emergjent dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Kryeministri Mustafa e vlerësoi këtë projekt si një investim të rëndësishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të fuqizimit të shërbimeve shëndetësore dhe si një tregues të përkushtimit të Qeverisë që shëndetësisë t’i jap trajtim prioritar dhe të merituar.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se me ndërtimin e Klinikës së re Emergjente do të mbulohen disa prej shërbimeve deficitare në vend, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim edhe me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale është duke u bërë edhe Ligji i ri për Kujdesin Emergjent Mjekësor në Kosovë.

Drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj,  e vlerësoi si një investim me domethënie fillimin e punimeve për Klinikën Emergjente në QKUK dhe si një mundësi shumë më të mirë për profesionistët e kësaj lëmie dhe me interesa të shumëfishta për qytetarët.

Klinika e re Emergjente do të ketë një sipërfaqe bruto prej 17.359 metra katrorë, do të ketë 20 salla të operacionit të kategorive të ndryshme dhe shërbime të tjera që lidhen me Kujdesin Shëndetësor Emergjent.