Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

U vendos gurthemeli i Spitalit Pediatrik-Kirurgjik

Gurthemeli u vu nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, znj. Maitha Al Shamsi, ministre e shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani

Prishtinë, 21 mars 2016

Në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është vënë sot gurthemeli i Spitalit Pediatrik – Kirurgjik në vlerë prej 22 milionë euro, donacion i Emiratave të Bashkauara Arabe për fëmijët e Kosovës.

Gurthemeli u vu nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Maitha Al Shamsi, ministre e shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga tha se ky do të jetë spitali më modern jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, me aparaturën më moderne, të cilën do ta përdorin njerëz profesional.

Jahjaga tha se ndonëse krenohet me faktin se Kosova ka popullatën më të re, për fat të keq Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të vdekshmërisë së foshnjave dhe fëmijëve.

Ajo foli për fondin që ka Kosova për shërimin e fëmijëve jashtë vendit, e që fatkeqësisht sipas saj është i pamjaftueshëm dhe prandaj sheh nevojën për ndihmë.

Maitha Al Shamsi, ministre e shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe ka falënderuar presidenten Jahjaga për rolin e saj në fuqizimin e rrugës së miqësisë në mes të dy vendeve.

Ajo tha se ky projekt humanitar mundësohet nga Madhëria e saj, Sheikha Fatima bint Mubarak për fëmijët dhe nënat e Kosovës.

Për ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani kjo ditë shënon një moment të veçantë për shëndetësinë në Kosovë, sidomos për fëmijët.

Ai tha se ky është investimi më i madh që është bërë në infrastrukturën shëndetësore të Kosovës që nga pas lufta.

“Investimi në shëndetin e fëmijëve, është investim për të ardhme të shëndoshë, ndërsa Spitali Pediatrik-Kirurgjik, do të ofrojë një mundësi të veçantë që në kushte krejt të tjera për profesionistët shëndetësor dhe pacientët, të bëhet një integrim i shërbimeve specialistike për fëmijë, duke lidhur në mënyrë funksionale Klinikën e Pediatrisë, Neonatologjisë, Kujdesin Pediatrik Intensiv, Onkologjinë dhe Radiologjinë e fëmijëve, dhe të gjitha shërbimet e tjera, që në qendër të vëmendjes dhe tretmanit mjekësor do t’i kenë fëmijët kosovarë dhe sigurimin e shërbimeve specialistikë cilësore për ta”, tha Ministri Rrahmani.

Ai shtoi se dita e sotme, është gjithashtu edhe një moment sprove”për të gjithë ne që sot i gëzohemi këtij investimi, sepse dita kur spitali do të përurohet, do të vjen shpejt, ndërsa ajo duhet të në gjejë të përgatitur që investimit 22 milionësh të Emiratave të Bashkuara Arabe t’i japin kuptim e vlerë, duke qenë të gatshëm që fëmijëve t’ua ofrojmë shërbimet e dedikuara”.

Ministria e Shëndetësisë, tha Ministri Rrahmani, do të ofrojë krejt çka është në përgjegjësitë e saj për t’u siguruar që projekti të realizohet sipas dinamikës së dakorduar.

Para vendosjes së gurthemelit, Presidentja Jahjaga, znj. Maitha Al Shamsi, ministre e shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Ministri Rrahmani kanë vizituar KLinikën e Pediatrisë, atë të Gjinekologjisë dhe të Neonatologjisë.

Marrëveshja për këtë projekt që arrin vlerën e 22 milionë eurove është nënshkruar në prill të vitit të kaluar, gjatë një vizite të Presidentes Jahjaga dhe Ministrit Rrahmani në Abu Dhabi dhe pritet të përfundojë në vitin 2018.

Ndërtimi i këtij spitali do të mbikëqyret nga kompania gjermane IMCE dhe ekspertët nga Abu Dhabi.