Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Vaksinat e dhuruara nga Turqia kundër Gripit A H1N1 arrijnë nesër në Kosovë

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mybera Mustafa dhe U. D. i Sekretarit Permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Haxhi Kamberi, kanë folur për masat që ka ndërmarrë Ministria duke siguruar furnizim të qëndrueshëm të institucioneve shëndetësore me barna dhe material shpenzues, medikamentin Tamiflu, si dhe është njoftuar se nesër në Kosovë, arrijë vaksinat e para kundër Gripit A H1N1, donacion prej 5.000 dozave, të cilat Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Turqisë, i ka dhuruar donacion për Kosovën, me kërkesë të Ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Alush Gashi.

Në takim, u tha se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka planin e vaksinimit dhe me këto vaksina së pari do të vaksinohen punonjësit shëndetësor, sipas kategorizimit të kategorive prioritare, derisa Ministria ka krijuar kushte që medikamenti Tamiflu dhe vaksinat kundër Gripit Sezonal të jepen edhe përmes sektorit privat nën mbikëqyrjen e MSh-së.

Drejtori i IKSHP-së Naser Ramadani ka raportuar për situatën epidemiologjike në Kosovë dhe ka konfirmuar se deri më sot, në Kosovë janë regjistruar 77 raste të Gripit A H1N1, shumica prej të cilave raste e kanë kaluar lehtësisht gripin, me përjashtim të një rasti që ka përfunduar me vdekje.

Ai ka thënë se situata epidemiologjike është nën kontroll të plotë, nuk ka nevojë për panik dhe se po zbatohen me përpikëri masat preventive.

Drejtori i Klinikës Infektive Shemsedin Dreshaj ka folur për trajtimin klinik të rasteve të konfirmuara dhe të dyshuara të Gripit të ri A H1N1 në këtë klinikë.

Ai ka thënë se dy raste me gjendje më të rëndë klinike për të cilat dyshohej se ishin me grip A H1N1, janë konfirmuar negative, derisa për dy raste të tjera analizat do të përsëriten për shkaqe sigurie, edhe pse të dy kanë rezultuar negative në A H1N1.

Nga ky takim sërish u është bërë thirrje qytetarëve që të lajmërohen me kohë te mjeku familjar kur kanë simptoma gripit dhe të zbatojnë masat mbrojtëse kundër virusit A H1N1 dhe virusit të Gripit sezonal, derisa mjekëve familjarë u është rekomanduar që të udhëzojnë për në Klinikën Infektive dhe për analiza në IKSHP vetëm rastet me tablo të rëndë klinike.