Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Vaksinimi i fëmijëve – storia më e suksesshme në shëndetësinë kosovare

 Vaksinimi i fëmijëve – storia më e suksesshme në shëndetësinë kosovare

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani tha se duke arritur një shkallë prej 95 për qind të vaksinimit të fëmijëve, Kosova radhitet në mesin e vendeve evropiane dhe mund të mburret me këtë segment, falë aktorëve të kyçur në këtë proces, përfshirë profesionistët shëndetësor, prindërit dhe institucionet.

Prishtinë, 29 prill 2014

Me shkallë të vaksinimit të fëmijëve prej mbi 95 për qind, Kosova radhitet në mesin  e vendeve me vaksinimin më të mirë në Evropë.

Kështu u tha sot nga autoritetet shëndetësore në Prishtinë, gjatë vizitës në Njësinë e Vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, me rastin e Javës Evropiane të Vaksinimit (24-30 prill), e cila po shënohet edhe në Kosovë, me qëllim të ngritjes së mëtejme të njohurive për dobitë e imunizimit.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani tha se duke arritur një shkallë prej 95 për qind të vaksinimit të fëmijëve, Kosova radhitet në mesin e vendeve evropiane dhe mund të mburret me këtë segment, falë aktorëve të kyçur në këtë proces, përfshirë profesionistët shëndetësor, prindërit dhe institucionet.

Ministri Agani tha se falë zbatimit të këtij obligimi ligjor, është arritur që të çrrënjosen disa sëmundje ngjitëse si paraliza e fëmijëve, defteria, tetanosi…, dhe të reduktohet numri i rasteve të sëmundjeve të tjera ngjitëse kolla e bardhë, tuberkulozi, etj.

Ai tha se është shprehur ndjeshmëri edhe ndaj komuniteteve me shkallë më të ultë të vaksinimit si komuniteti RAE për të cilët është zhvilluar një program suplementar i vaksinimit dhe janë arritur rezultate të mira.

Shefi i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, Dr. Skënder Syla, tha se Java Evropiane e Vaksinimit, është një moment i rëndësishëm për të ngritur shkallën e sensibilizimit të prindërve  dhe profesionistëve shëndetësor për zbatimin e praktikave më të mirë të imunizimit të fëmijëve për t’i mbrojtur ata nga sëmundjet e parandalueshme përmes vaksinimit.

Ai tha se Kosova ka obligim të mbrojë fëmijët e saj, që për fat, sipas një hulumtimi reprezentativ të kësaj organizate që do të publikohet së shpejti, kanë dalë të jenë fëmijët më të shëndoshë në Evropë edhe në kuptimin e shprehive sociale me shkallë të ultë të përdorimit të alkoolit, drogave, duhanit.

Zonja Laila Omar Gad, shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, i përgëzoi institucionet shëndetësore kosovare, të cilat kanë arritur këtë shkallë kaq të lartë të vaksinimit të fëmijëve dhe theksoi nevojën që përmes vetëdijesimit të mëtejmë të ngrihet shkalla e vaksinimit edhe te grupet më vulnerabile në Kosovë.

Ajo shprehu përkushtimin e UNICEF-it që të ndihmojë këtë aspekt të rëndësisë së veçantë të shëndetit publik në Kosovë.

Dr. Nexhmedin Hoti, shef i Shërbimit të Vaksinimit në QKMF në Prishtinë, tha se ky shërbim ka parashikuar që sivjet të vaksinojë 19.400 fëmijë në këtë komunë, dhe shprehu përkushtimin e profesionistëve shëndetësor në këtë komunë, që të mbajnë edhe në të ardhmen një nivel kaq të lartë të vaksinimit të fëmijëve.

Java Evropiane e Vaksinimit në Kosovë sivjet po shënohet me moton: “Vaksinohuni për një të ardhme të shëndetshme”, me aktivitete të përbashkëta të MSH-së, IKSHP-së, OBSH-së, UNICEF-it dhe autoriteteve shëndetësore komunale të Prishtinës dhe të komunave të tjera.

Qëllimi i saj fokusohet në domosdoshmërinë për aktivitete të përbashkëta të politikë-bërësve, punëtorëve shëndetësor, prindërve e kujdestarëve, si dhe gjithë popullatës për të kontribuar në vaksinimin e fëmijëve që luan rol kyç në parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.