Prishtinë, 08 maj 2015
Me ftesë të drejtorit për shëndetësi të Dioqezës se Breshës Don Maurizio Funazzi, me datën 22.04.2015 Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së Gani Shabani dhe U.D. i Drejtorit të Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore, qëndruan për vizitë në Spitalin e Breshës dhe Spitalin e Monzë, s ku trajtohen një numër i pacientëve nga Kosova.
Qëllimi i kësaj vizite ishte krijimi i mundësive të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Shëndetësisë dhe spitaleve të këtyre qyteteve me ndërmjetësimin e “Caritas”-it të Breshës, personalisht të Don Maurizios.
Me datën 23.04.2015 u vizitua Spitali publiko-privat që quhej “Poliambulanza” në Breshia, ku delegacioni i MSh-së u prit nga Drejtori i këtij spitali, Z. Alessandro Signorini.
Drejtori i këtij spitali informoj për organizimin e punës dhe shërbimet që ofron ky spital. Në takim u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit lidhur më ofrimin e trajnimeve për specialistët e Kosovës, sidomos në shërbimet më të avancuara të këtij spitali, ndër to: Onkologjia-Radioterapia, Ortopedia. Në kuadër të këtij Spitali ekziston shkolla për Infermieri e nivelit bachelor.
Gjithashtu, në takimin me Z. Giorgo Cotelli, drejtor i Caritasit të Breshës u diskutuan mundësitë e Caritasit për të përkrahur pacientet (fëmijët) dhe përcjellësit e tyre në strehim, ushqim, etj. që marrin trajtim mjekësor në Spitalet e Breshës dhe më gjerë.
Me datë 24.04.2015 delegacioni i MSh-së vizitoi Spitalin e Monzës “FONDAZIONE Monza e Brianza per il BAMBINO a la sua MAMMA”, ku u pri nga shefi i Repartit të Hemato-Onkologjisë, Dr. Carmelo Rizzari.
Në këtë repart trajtohen 5 fëmijë me Leukemi nga Kosova.
Dr. Carmelo njoftoi për gjendjen e fëmijëve dhe ecurinë e mjekimit të tyre, për të cilët tha se gjendja e tyre është në përmirësim e tutje dhe është mjaftë shpresëdhënëse për shërimin e tyre. Deri tani vetëm njërit nga këta fëmijë ( E.B.) i është bërë transplantimi i palcës kockore dhe tani është shumë mirë, ndërsa të te tjerët, sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë transplant.
Në Spitalin e Monzës, për të 5 këta fëmijë nga Ministria e Shëndetësisë janë paguar 735.000.00 euro për 18 muaj mjekim, duke e përfshirë edhe transplantimin e palcës apo qelizave nëse ka nevojë.
Për tre fëmijët e parë që janë dërguar në Monza për trajtim, janë paguar shumat nga 185.000.00 euro, tri rastet e para kanë filluar mjekimin në vitin 2014. Ndërsa për dy fëmijët e fundit që janë dërguar në muajit mars-prill 2015 nga Ministria e Shëndetësisë janë paguar nga 90.000.00 euro. Mjekimi i këtyre fëmijëve është i mbuluar nga Ministria e Shëndetësisë për 18 muaj.
Gjithashtu u realizua edhe një takim me përfaqësues të Shoqatës Cavalieri Di Malta.
Kjo shoqatë kujdeset për të gjithë logjistiken për pacientët që po trajtohen në Spitalin e Monzës, duke përfshirë, gjithashtu, edhe strehimin e përcjellësve të pacientëve dhe vet pacientët kur trajtimi i tyre bëhet jashtë spitalit.
Në pasditen e 24.04.2015 në Spitalin Civil të Breshës, delegacioni nga MSh u prit nga Drejtori Gjeneral i këtij spitali Z. Ezio Belleri me stafin e tij.
Drejtori ka informuar për organizimin dhe llojet e shërbimeve që ofron ky spital. Në takim nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm u shtrua kërkesa për mundësitë e ofrimit të edukimit të vazhdueshëm profesional për mjekët specialitë të Kosovës në këtë spital.
Palët janë pajtuar që me një marrëveshje bashkëpunimi në mes të Spitalit të Breshës dhe SHSKUK-së, nën garantimin e Ministrisë së Shëndetësisë mund të arrihet kjo marrëveshje e dëshiruar.
Pas takimit, me drejtorin, të shoqëruar nga drejtori mjekësor i këtij spitali, janë vizituar repartet dhe mjekët që kujdesen për tre fëmijë që trajtohen në këtë spital. Mjekët përgjegjës në detaje kanë informuar për ecurinë e trajtimit të këtyre pacientëve.
Në spitalin e Breshës janë duke u trajtuar tre pacient, për të cilët Ministria e Shëndetësisë ka paguar gjithsej 463.155.00 euro, nga 154.385.00 euro. Kjo ka qenë shuma e kërkuar nga Spitali bazuar në profaturat e lëshuara. Këto tri raste janë aprovuar për trajtim në vitit 2014.
Në çdo takim, delegacioni ka qenë i shoqëruar nga Don Maurizio Funazzi dhe Motra Xhuliana Mrijaj.
Karakteristikë e të gjitha takimeve ka qenë që delegacioni i MSh-së të informohet për gjendjen e pacientëve kosovarë të trajtohen në këto spitale si dhe është kërkuar që të krijohen mundësitë e bashkëpunimit në mes të SHSKUK-së dhe spitaleve në këto qyteteve për dërgimin e mjekëve të Kosovës për specializime të ndryshme, trajnime dhe edukim të vazhdueshëm profesional.