Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Vlerësohet lart ndihma e OBSH-së në Kosovë

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se për 12 vjet të ekzistimit të kësaj zyre në Kosovë, ajo ka ndihmuar drejtpërdrejt sektorin shëndetësor në Kosovë në tërheqje fondesh dhe investime kapitale që për qëllim kanë pasur ndihëm që ky sektor të avancojë shërbimet dhe të arrijë ato standarde që garantojnë shëndetin dhe mirëqenien e kosovarëve.
Ai bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe, Zyra ka investuar në Kosovë rreth 41 milionë dollarë, qoftë përmes investimeve kapitale (periudha emergjente) apo përmes ofrimit të ekspertizës profesionale dhe mbështetjes teknike për MSH-në.
Pasi përfaqësues të OBSh-së në Kosovë kanë elaboruar punën  e bërë gjatë këtij viti këtu, ata janë zotuar se asistenca do të vazhdojë edhe vitin tjetër, ndërkohë që është lavdëruar partneriteti i mirë midis OBSH-së -MSH-së dhe donatorëve të ndryshëm.
Dr. Ilir Tolaj, Sekretar Permanent në MSH, tha se sfidat kryesore në shëndetësi nuk lidhen vetëm me mungesën e mjeteve financiare që gjithsesi është një nga problemet kryesore, por lidhen edhe me mungesën e resurseve profesionale, prandaj në këtë sens, ai e vlerësoi lart kontributin e OBSH-së në ngritjen e kapaciteteve menaxheriale dhe profesionale për segmente të ndryshme të sistemit shëndetësor.
“Ne kemi nevojë që në vijim nga partnerët tanë të kemi një qasje më pro-aktive dhe aspektin e kritikës ndaj nesh, në mënyrë që sistemi të përmirësohet aty ku ka probleme më shumë”, tha Tolaj.
Pierr Weber, përfaqësues i Qeverisë së Luksemburgut në Kosovë, një nga kontribuesit kryesor në shëndetësinë kosovare, tha se bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë midis Qeverisë së vendit të tij, që do ta mbështes dhe më tej shëndetësinë kosovare, MSH-së dhe OBSH-së, por ka tërhequr vërejtjen se punët e mëdha duhet të bëhen nga vet kosovarët.
Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, e ka vlerësuar OBSH-në si partnerin më të madh të këtij institucioni dhe ka vlerësuar se ndihma e kësaj organizate ka ndihmuar IKSHP-së edhe në zhvillimin më të mirë të një sistemi të mbikëqyrjes së sëmundjeve ngjitëse dhe në sferat e tjera.
Dr. Skënder Syla, ka ritheksuar se OBSH do të vazhdojë me aktivitete konkrete në shëndetësi në partneritet me MSH-në dhe të tjerët, për të përmbushur misionin global të kësaj organizate, që është  “Shëndet për të gjithë”.