Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Vlerësohet lart partneriteti francezo-kosovar në shëndetësi

 
Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike u bë sot ndarja e certifikatave për vijuesit e seminareve në fushën e metodologjisë së hulumtimeve mjekësore, një projekt ky i realizuar në bashkëpunim në mes Institutit Kombëtar (IKSHPK) në partneritet me Universitetin e Bordeaux të Francës dhe përkrahur nga Ambasada Franceze në Kosovë.

Në këtë ceremoni ku morën pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Francës në Kosovë, Jean François Fitou, Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Gani Bajraktari, drejtori i Institutit Kombëtar Naser Ramadani dhe zyrtarë e profesionistë të tjerë shëndetësor, u tha se realizimi i këtij partneriteti në dy faza është një tregues i mirë se arritja e standardeve të Kosovës drejt BE-së, nënkupton arritjen e standardeve në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se ky projekt midis IKSHP-së dhe Universitetit të Bordeaux të Francës, paraqet një aktivitet të partneritetit francez në interaksion me profesionistët shëndetësor kosovar dhe kjo ndërlidhje paraqet një garanci në të mirë të arritjes së standardeve profesionale dhe sjelljes së vlerave që do të prodhojnë kualitet në favor të sigurimit të shërbimeve kualitative shëndetësore.

“Ky ka qenë një investim i madh dhe investimi në dije, është investimi më i mençur dhe më kualitativ që mund të bëhet”, tha Ministri Agani, duke falënderuar shtetin francez për seminaret në fushën e metodologjisë së hulumtimeve biomjekësore.

Ambasadori francez, Jean François Fitou, tha se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe në familjen evropiane, ndërsa theksoi se që të arrihet atje duhen të arrihen standarde dhe të bëhen hapa të domosdoshëm.

Ai premtoi se përkrahja franceze nuk do të mungojë në këtë aspekt, në të gjitha fushat.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se pjesëmarrësit në këto seminare kanë arritur rezultate për të qenë hulumtues të pavarur në punimet e hulumtimeve bio-mjekësore.

Dekani i Fakultetit të Mjekës-së –UP, Gani Bajraktari, tha se në fushën e standardeve në shëndetësi, Kosova qëndron diçka më mirë në fushën e udhërrëfyesve klinikë, ndërkohë që ngec në  fushën e prodhimit të hulumtimeve klinike dhe paraklinike.

Rachid Salmi, drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike, Epidemiologjisë dhe  Zhvillimit të Universitetit të Bordeaux, e ka vlerësuar lart partneritetin e zhvilluar  dhe ka përgëzuar pjesëmarrësit për angazhimin e treguar gjatë vijimit të seminareve.

Seminari, i përkrahur nga Ambasada Franceze, është pjesë e bashkëpunimit në mes të IKSHP-së dhe Ambasadës Franceze që nga viti 2009, që përfshinë ndihmën teknike, materiale dhe financiare për realizimin e projekteve të shëndetësisë publike po ashtu edhe kurse të gjuhës frënge për kuadrin, ndërsa

Seminari është zhvilluar në dy cikle, gjatë shkurtit dhe gjatë majit nga ekipi i mësimdhënësve dhe hulumtuesve nga Shkolla e Shëndetit Publik e Bordeaux në partneritet me mësimdhënës nga IKSHPK.