Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Vlerësohet lart procesi i bartjes së përgjegjësive për shëndetin në burgje nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Shëndetësisë

Prishtinë, 16 dhjetor 2013

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë -Zyra në Prishtinë,  sot, në Institutin Kombëtar te Shëndetësisë Publike në Prishtinë  është mbajtur Tryeza e Rrumbullakët lidhur me transferin e  kompetencave  të sistemit shëndetësor  në burgjet e Kosovës nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Shëndetësisë  dhe funksionimin e këtij programi.

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Ferid Agani, theksoi se është kënaqësi të diskutohet në këtë format, të nivelit të lartë, për transferin e kompetencave të shërbimeve të shëndetësisë së burgjeve  në Ministrinë e Shëndetësisë.  Si qëllim prioritar i MSH-së, shtoi ai, është e drejta e për shëndet që ai e cilësoj si të drejtë themelore të çdo qytetari përfshirë edhe të burgosurit.

Ministri Agani, falënderoj OBSH-në, Ministrin e Drejtësisë, Udhëheqësinë e Shërbimit Korrektues të Kosovës si dhe të gjithë  ata që u përfshinë në këtë proces transferues,  që nga ai u vlerësua si proces i avancimit të shërbimeve shëndetësore nëpër burgjet e Kosovës.

Milazim Gjocaj, Drejtor i Departamentit të Shëndetësisë në burgje në MSh dhe bartësi kryesor i këtij procesi, falënderoj Ministrin Agani për mbështetjen që i ka dhënë gjatë tranzicionit, duke theksuar se me bashkëpunimin që ka pasur me U. D të Drejtorit në SHKK, dhe me bashkëpuntorët e tjerë që ndihmuan, ky proces ka kaluar pa asnjë problem. Ai shprehu bindjen se bashkëpunimi nuk do të mungojë as në të ardhmen për realizimin e objektivave të përbashkëta në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në burgje.

Ndërsa Shemsi Hajrizi U.D. Drejtor i SHKK-së , tha se po realizohet një vizion i përbashkët mes MSH-së dhe SHKK-së, duke dëshiruar që shërbimet shëndetësore të ngrihen në nivelin e duhur cilësor.

Debatit i kontribuoi edhe përfaqësuesi i OBSH-së- Zyra në Kopenhagë, Stefan Enggist, i cili theksoi se ky program është shumë i rëndësishëm në avancimin e shërbimeve më cilësore për pacientët brenda burgjeve. Ai tha se shumë pak shtete kanë mundur ta finalizojnë si proces një transfer të tillë.

Drtejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha ndërkaq se një kontroll i mirë i shëndetit të burgosurve, ndikon edhe në  mbrojtjen e shëndetit të tjerëve dhe anasjelltas.