Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Zemaj: Jemi një ndër pesë vendet me situatë më të mirë pandemike në Evropë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj zhvilloi sot një takim me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti me të cilin diskutuan rreth situatës me koronavirus në Kosovë, me theks të veçantë në kryeqytet.

Ministri Zemaj ka thënë se me kryetarin Ahmeti kanë diskutuar për shtim të vigjilencës dhe mbikëqyrjes së zbatimit të masave antiCOVID-19.

“E kemi ndjekur një politikë të përbashkët në ndërtimin një fronti anë e mbanë Kosovës për luftimin e pandemisë. Po vazhdojmë këtë punë bashkërisht me të gjithë kryetarët e komunave, e posaçërisht me kryeqytetin ku ditëve të fundit jemi përball me një rritje të rasteve pozitive me koronavirus. Biseduam për menaxhim më të mirë të situatës, mbi të gjitha për një vigjilencë dhe dinamikë më të shtuar të mbikëqyrjes në koordinim me inspektorët dhe policinë”, tha Zemaj.

Ministri Zemaj tha se Kosova gjendet në mesin e pesë vendeve të Evropës me situatë më të mirë sa i përket pandemisë COVID-19.

“Jemi një ndër pesë vendet me situatë më të mirë pandemike në Evropë. Jemi në limitet për të hynë në zonën e portokalltë jemi ende në zonën e gjelbër, dhe asnjëherë nuk dëshirojmë të hyjmë në zonën e portokalltë e as të kuqe. Do të intervenojmë aty ku oshtë nevoja, do të ketë sanksione ndaj atyre që nuk i respektojnë masat”, u shpreh Zemaj.

Ministri shtoi se rritja e numrit të rasteve sot është nga mos disiplina individuale dhe se grumbullimi i panevojshëm nuk i konvenon askujt.

“Do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme qoftë edhe kufizime nëse paraqitet nevoja”, tha Zemaj.

Kurse, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se komuna po bashkëpunon me MSh-në dhe institucionet e tjera me qëllim që të mbajë situatën të menaxhuar dhe të parandalojë rritjen e rasteve dhe çfarëdo mbylljeje eventuale.

“Askush nuk dëshiron që të kemi mbyllje tjetër, por kjo varet nga kujdesi që bëjnë qytetarët”, tha Ahmeti. Ai mori si shembull të mirë procesin mësimor në shkolla, ku mësimi po vijon, ndërsa rasteve infektimeve të nxënësve nuk shkojnë në mbi 5%.

“Kemi para vetës një fazë të rëndësishme ku na duhet bashkëpunimi I të gjithëve dhe sidomos i qytetarëve për zbatimin e masave për të frenuar përhapjen e virusit, që në shumë shtete po shënon rritje”, tha Ahmeti.