Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Zëvendësministri Berisha merr pjesë në tryezën: Imazhi i profesionistëve shëndetësor, ndikimi i tij në sistemin shëndetësor

Prishtinë, 25 tetor 2017

Zëvendësministri i Shëndetësisë dr. Ali Berisha mori pjesë sot në tryezën: Imazhi i profesionistëve shëndetësor, ndikimi i tij në sistemin shëndetësor, të organizuar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Në këtë tryezë, pjesëmarrës nga MSh, SHSKUK, IKSHP, FSSHK, shoqëria civile e mediat kanë diskutuar për imazhin që ka sot profesionisti shëndetësor në Kosovë, dhe cilat janë realcionet me pacientët.

Zëvendësministri Berisha, gjatë diskutimit të tij nët tryezë, tha se imazhi që ka sot shëndetësia kosovare, nuk është imazhi të cilin e duan vet profesionistët shëndetësor e aq më pak qytetarët dhe pacientët kosovarë. “Imazhi i sotëm i profesionistëev tanë shëndetësor dhe i vet sistemit shëndetësor përfaqësohet përmes besimit të lënduar në shëndetësinë tonë.
Ky besim i lënduar, nuk është pasojë e veprimeve individuale të ndonjërës prej hallkave të sistemit, por është pasojë e lëshimeve të bëra në pothuaj secilën hallkë të sistemit shëndetësor, duke filluar nga MSh si menaxhere e sektorit, për të vazhduar me institucionet shëndetësore të tre niveleve dhe vet profesionistët shëndetësor. Të pafajshëm janë vetëm pacientët…”, tha Zëvendësministri Berisha.

Ai theksoi se shkaqet e këtij besimi të lënduar lidhen me nënfinancim të sektorit të shëndetësisë; qasjen jo adekuate të politikës ndaj sektorit; trajtim jo dinjitoz të profesionistëve shëndetësor dhe; politikat jo adekuate dhe të pa bazuara në performancë dhe evidencë mjekësore.

Ai tha se përmirësimi i imazhit është një proces që kërkon kohë, ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës është përcaktuar për një program real që nënkupton: përmirësimin e financimit të shëndetësisë; ndryshime në qasjen ndaj pacientit dhe rritjen e shërbimeve dhe përmirësimin e komunikimit midis profesionistëve shëndetësor në raport me pacientët dhe familjarët e tyre.