Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Zëvendësministri Sadiku bisedon me operatorët ekonomik

Prishtinë, 19 janar 2016

Zëvendësministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Izet Sadiku së bashku me zyrtarë të MSh-së dhe AFSh-së, priti Operatorët Ekonomik të furnizimit me barna dhe material harxhues.

Në takim u bisedua për zhvillimet që janë duke u bërë nga ana e MSh-së, për furnizim me barna për institucionet shëndetësore publike, pas kalimit të buxhetit për barna nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), në Agjensionin e Financimit të Shëndetësisë (AFSH).

Zëvendësministri Sadiku, ka falënderuar të gjithë operatorët për furnizimin emergjentë me barna për klinikat e QKUK-së, që kanë pas nevojë për to gjatë vikendit, pas kërkesës të bërë nga MSh, e sidomos në këtë rast për donacionet me barna që u dhanë për këto klinika nga disa operatorë ekonomik.

Ai tha se “presim një bashkëpunim dhe koordinim të mirë mes MSh-së, AFSh-së dhe Operatorëve Ekonomik, krejt kjo me qëllim të furnizimit të rregullt me barna dhe material harxhues, si rrjedhojë e ruajtjes së shëndetit të pacientit në nevojë”.

Nga zyrtarë të MSh-së dhe AFSh-së, operatorët ekonomik janë njoftuar për procedurat që do të ndiqen për shpalljen e tenderëve për kontratat të cilat kanë skaduar dhe për vazhdimin e furnizimit me barna në bazë të kontratave valide mes operatorëve  dhe SHSKUK-së, deri në skadimin e tyre.

Operatorët ekonomik u shprehën të gatshëm për bashkëpunim, gjithmonë duke vënë në fokus ruajtjen e shëndetit të qytetarit.

Derisa, në fund të takimit u tha se është e nevojshme që këto takime të jenë të rregullta me qëllim të komunikimit më të mirë, që si rezultat do të kishte edhe furnizimin e rregullt me barna për nevojat e institucioneve shëndetësore por, edhe të shprehjes së shqetësimeve apo problemeve të ndryshme që mund të ju paraqiten operatorëve në këtë rast.