Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Zëvendësministri Sadiku diskuton me kardiokirurgë italianë për funksionalizimin e Kardiokirurgjisë në Kosovë

Prishtinë, 23 shtator 2016

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Izet Sadiku priti sot në takim menaxherin e Programit të Qeverisë së Italisë për mbështetje Kardiokirurgjisë në Kosovë, z. Piercarlo Vicentini dhe përfaqësuesit e një konsorciumi të spitaleve publike të këtij shteti, të interesuara për mbështetje këtij projekti në sektorin publik në Kosovë.

Zëvendësministri Sadiku e ka njoftuar delegacionin nga Italia me angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë për funksionalizimin e Kardiokirurgjisë në sektorin publik, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe ka falënderuar Qeverinë e Italisë për mbështetjen e këtij projekti.

Ai tha se në këtë drejtim, Këshilli Kombëtar për funksionalizimin e Kardiokirurgjisë ka bërë një vlerësim të gjendjes dhe kapaciteteve të këtij shërbimi. MSh po punon në ngritjen e ekipit që do të ofrojë shërbime të përhershme në këtë qendër, kurse synimi është që Kardiokirurgjia të rihapet gjatë muajit tetor, theksoi zëvendësministri.

Nga ana e tyre, delegacioni italian, shprehën kënaqësinë që po bëhen hapa konkret në këtë fushë dhe gatishmërinë e tyre që duke përdoruar eksperiencën e vet të mbështesin stafin në fillimin e ndërhyrjeve kardio-kirurgjike në sektorin publik në Kosovë, me mbështetjen e dhe të Qeverisë së Italisë.

Ata, pas takimit, me zëvendësministrin Sadiku, kanë vizituar edhe Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK, kanë takuar anëtarë të Këshillit atje dhe stafin vendor, me qëllim të njoftohen me gjendjen aktuale të kapacitete teknike dhe resurseve për projektin.