Pas nënshkrimit në Prishtinë të Planit të Veprimit për bashkëpunim dhe partneritet në shëndetësi midis Ministrive respektive të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, Zëvendësministrja e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Emine Alp Meşe, e shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, Dr. Naim Bardiqi dhe përfaqësues të tjerë të MSh-së, ka qëndruar në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ndërkohë që pasdite ka vizituar Kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz.
Gjatë qëndrimit në Prekaz, ajo ka qëndruar edhe në Kullën e familjes Jasharaj, ku është pritur nga z. Murat Jashari, nip i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Zëvendësministrja Emine Alp Meşe, ka shprehur admirimin e lartë të saj për sakrificën e familjes Jasharaj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ajo ka dëgjuar historinë e familjes Jasharaj dhe ka vendosur kurora e lule në varrezat e heronjve dhe dëshmorëve.
Gjithashtu, në kuadër të vizitës në Kosovë, Zëvendësministrja turke ka vizituar edhe tyrben e Sulltan Muratit në Gazimestan.