Udhëheqja dhe Roli Rregullator
Funksionet udhëheqëse dhe rregullatore të Ministrisë përfshijnë:
- Zhvillimin dhe zbatimin e politikave dhe ligjeve që sigurojnë sistem jo diskriminues dhe të përgjegjshëm të kujdesit shëndetësor;
- Koordinimin e aktiviteteve për zhvillimin dhe zbatimin koherent të politikave shëndetësore;
- Vendosjen e normave dhe standardeve si dhe nxjerrjen e akteve nën-ligjore për sektorin e shëndetësisë duke i respektuar standardet përkatëse ndërkombëtare;
- Mbikëqyrjen e zbatimit të standardeve në shëndetësi, përfshirë edhe inspektimin dhe shërbimet e tjera, sipas nevojës;
- Përcjelljen e situatës dhe zbatimin e masave adekuate për parandalimin, identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve në sektorin e shëndetësisë; menaxhimin dhe zhvillimin e infrastrukturës së kujdesit shëndetësor;
- Zhvillimi i burimeve institucionale dhe njerëzore në shëndetësi të domosdoshme për zvogëlimin e nevojës për trajtim jashtë vendit;
- Përkrahjen e pjesëmarrjes, iniciativave dhe zhvillimit të aktiviteteve të qytetarëve dhe të banorëve që ndërlidhen me shëndetin;
- Zhvillimin dhe pjesëmarrjen në fushatat për informim publik dhe projektet e tjera të promovimit shëndetësor me qëllim të rritjes së shkallës së vetëdijes publike dhe pajtueshmërisë me standardet shëndetësore;
- Përkrahjen e zhvillimit të arsimimit dhe edukimit shëndetësor me qëllim të ngritjes së njohurive dhe kompetencave në lëmin e shëndetësisë;
- Mbikëqyrjen e kontrollit të cilësisë së ujit dhe ushqimit me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve, në bashkëpunim me ministritë përkatëse, në pajtim me ligjin;
- Planifikimin e resurseve njerëzore në shëndetësi
Politikat Zhvillimore në Shëndetësi
Zbatimi i politikave zhvillimore në shëndetësi është përgjegjësi e Ministrisë e cila nëpërmjet planeve sektoriale, organizimit, financimit, standardeve, rregullimit, dhe menaxhimit siguron mbështetje për përmirësimin e shëndetit duke udhëzuar sjelljen e institucioneve të tjera qeveritare, komunale, të punësuarve, të punëdhënësve, të shoqërisë civile, të qytetarëve, të banorëve, dhe të sistemit të kujdesit shëndetësor.
Politikat zhvillimore në shëndetësi definohen nëpërmjet planeve: Strategjike; Afat-mesme dhe operative.
Planet strategjike, afatmesme, dhe operative përpilohen në bazë të kritereve dhe për cikle kohore të përcaktuara nga Qeveria.
Parimet e kujdesit shëndetësor
Kujdesi shëndetësor zbatohet duke u udhëhequr nga parimet themelore, si vijon:
- Barazia
- Sigurimi i qasjes së plotë ndaj shërbimeve në Listën e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, pas përcaktimit të saj; për të gjithë qytetarët dhe banorët, përfshirë qasjen e lehtë deri te institucionet shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara;
- Shpërndarja e drejtë e burimeve publike për kujdesin shëndetësor duke pasur dallimet socio-ekonomike;
- Barazia e plotë e sektorit publik, privat, dhe partneritetit publik-privat gjatë ofrimit të kujdesit shëndetësor, në pajtim me këtë ligj.
- Gjithë-përfshirja dhe jo diskriminimi: standarde të barabarta në kujdesin shëndetësor për të gjithë qytetarët dhe banorët duke siguruar standardet gjatë përmbushjes së kërkesave në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, si dhe sigurim i kujdesit shëndetësor pa diskriminim në bazë të gjinisë, kombit, racës, ngjyrës, gjuhës, fesë, bindjeve politike, gjendjes sociale, orientimit seksual, shkallës së aftësive fizike dhe mendore, statusit familjar dhe moshës.
- Cilësia: aplikimi i standardeve ndërkombëtare në organizimin, zhvillimin, dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor përkitazi me të gjitha aspektet, përfshirë: trajtimin e fokusuar në pacientë, përdorimin e resurseve, organizimin e punës, trajnimin, edukimin, licencimin, akreditimin, udhëzimet etike, dhe mbrojtjen e interesave të shfrytëzuesve të shërbimeve shëndetësore.
- Ndershmëria dhe llogaridhënia;
- Dhënia e prioritetit intervenimeve kost-efektive të kujdesit shëndetësor, të bazuara në të
- dhëna;
- Qëndrueshmëria dhe vazhdueshmëria;
- Parandalimi dhe zbulimi i hershëm i sëmundjeve nëpërmjet promovimit shëndetësor, detektimit, dhe politikave publike shumë-sektoriale për përmirësimin e shëndetit;
- Bashkë-përgjegjësia dhe solidariteti.