Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, sot nënshkruan marrëveshje financimi me Bankën Evropiane të Investimeve (EIB) dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), në vlerë prej 41 milionë euro, për investime në pajisje mjekësore të teknologjisë së fundit, me qëllim të modernizimit të institucioneve publike shëndetësore dhe avancimit të shërbimeve për qytetarët.
Përmes këtij projekti, pajisjet mjekësore do të vendosen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet e përgjithshme, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe trajtuese të institucioneve shëndetësore në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.
Ministri Vitia theksoi se modernizimi i infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë, në përputhje me objektivat e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030.
“Këto investime do të forcojnë kapacitetet e institucioneve tona publike shëndetësore, do të avancojnë shërbimet diagnostikuese dhe trajtuese dhe do të kontribuojnë në qasje më të barabartë në shërbime shëndetësore në të gjithë Kosovën”, theksoi ministri Vitia.
Krahas investimeve në pajisje mjekësore, Ministria e Shëndetësisë është duke përgatitur edhe fazën e dytë të projektit, për të cilën studimet e fizibilitetit, të mbështetura përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, pritet të përfundojnë së shpejti.
Në këtë fazë parashihen investime shtesë në infrastrukturën e QKUK-së dhe spitaleve rajonale, përfshirë përmirësimin e qasjes për personat me aftësi të kufizuara, krijimin e korridoreve lidhëse ndërmjet klinikave të QKUK-së dhe ndërtimin e Qendrës së Hospisit.
Qendra e Hospisit do të ofrojë kujdes paliativ, lehtësim të dhimbjes dhe mbështetje dinjitoze për pacientët me sëmundje në fazë terminale.
Ministria e Shëndetësisë shpreh mirënjohjen për Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e këtyre investimeve, të cilat synojnë fuqizimin e shëndetësisë publike në Kosovë.