Në kuadër të aktiviteteve që po mbahen gjatë Tetorit Rozë, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, mori pjesë në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, të mbajtur në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, me pjesëmarrjen e profesionistëve shëndetësorë nga vendi dhe jashtë.
Simpoziumi, pjesë e Kongresit të Dytë Klinik të Kirurgëve Shqiptarë, mblodhi ekspertë për të diskutuar zhvillimet bashkëkohore në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit. Programi përfshinë diskutime shkencore, transmetim të drejtpërdrejtë nga salla e operacionit dhe një kurs praktik për biopsinë minimalisht invazive.
Ministri Vitia veçoi Planin e Veprimit të Skriningut për Kancerin e Gjirit 2026–2028, mamografinë falas në institucionet publike dhe shtimin e tetë mamografëve të rinj digjitalë. Gjithashtu përmes mamografit mobil, shërbimi po shkon sa më afër qytetareve tona.
Ai theksoi se në dy vitet e fundit mbi gjysma e rasteve janë diagnostikuar në stade të hershme. Krahas kësaj, përmendi modernizimin e Klinikës së Onkologjisë, avancimin e radioterapisë, rritjen e buxhetit për barna onkologjike, si dhe ofrimin e protezave të gjirit pa kosto dhe pa listë pritjeje në QKUK.
Ministri falënderoi profesionistët shëndetësorë, Kolegjin e Kirurgëve për kontributin e tyre, duke vlerësuar simpoziumin si mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe avancimin e praktikave të trajtimit.
Në përmbyllje, ministri u bëri thirrje grave të mos e shtyjnë kujdesin për veten, të informohen dhe të kryejnë kontrollet e rekomanduara.