
Nën moton “Vepro herët, parandalo diabetin!”, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Pejë, me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, organizuan tryezë të rrumbullakët kushtuar parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe menaxhimit të diabetit.
Fushata e këtij viti vë theksin në rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, reduktimin e faktorëve të rrezikut dhe sigurimin e kujdesit të vazhdueshëm për personat që jetojnë me diabet.
Ministria e Shëndetësisë mbështet trajtimin e personave me diabet përmes sigurimit të vazhdueshëm të terapisë orale dhe insulinës. Për terapinë orale janë ndarë 173,754.14 euro, ndërsa për sigurimin e insulinave analoge 3,321,059.11 euro, duke mbuluar nevojat për rreth 16,000 persona insulinovartës.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite, IKShPK-ja dhe qendrat rajonale të shëndetësisë publike, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe drejtoritë komunale të shëndetësisë, organizojnë edhe aktivitete të tjera vetëdijësuese në nivel vendi, përfshirë ligjërata edukative, këshillime shëndetësore, matje të glikemisë dhe peshës trupore, si dhe shpërndarje të materialeve informuese.
Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë përfaqësues të institucioneve shëndetësore, drejtorive komunale të shëndetësisë, organizatave joqeveritare dhe akterë të tjerë relevantë, me të cilët u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndërgjegjësimit në parandalimin dhe menaxhimin e diabetit.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u kushtojnë rëndësi kontrolleve të rregullta shëndetësore, ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit fizik, pasi diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi në kohë ndihmojnë në parandalimin e komplikimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.







