Shënohet Dita Botërore e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës

Kosova avancon në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, me 87% të grupit të synuar të vaksinuar kundër HPV-së.

Kosova ka arritur mbulim prej 87% me vaksinën kundër HPV-së në grupin e synuar të nxënësve të klasave të gjashta, ku përfshihen vajzat dhe djemtë. Ky rezultat shënon një arritje të rëndësishme në mbrojtjen e gjeneratave të reja dhe në parandalimin e sëmundjeve të shkaktuara nga ky virus.

Republika e Kosovës renditet ndër vendet me mbulueshmërinë më të lartë të vaksinimit kundër HPV-së në raport me vendet e rajonit.

Këto rezultate u prezantuan në tryezën e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, me rastin e Ditës Botërore kushtuar eliminimit të kancerit të qafës së mitrës, nën moton: “Së bashku drejt eliminimit të kancerit të qafës së mitrës”.

Pas përfshirjes së vaksinës kundër HPV-së në kalendarin e vaksinimit në vitin 2023, vaksinimi i vajzave filloi në vitin 2024, ndërsa në vitin 2025 u zgjerua edhe te djemtë. Përmes këtij programi, Ministria e Shëndetësisë ka zgjeruar mbrojtjen dhe qasjen në vaksinim për të dyja gjinitë.

Krahas vaksinimit, ka filluar zbatimi i Planit të Veprimit për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës 2026–2028. Gjithashtu, është hartuar dhe miratuar Procedura Standarde Operative për Skriningun, si dhe është iniciuar procesi i sigurimit të seteve dhe testeve për Pap-test në institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor, me qëllim të lehtësimit të qasjes në shërbimet e skriningut dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 119 raste të kancerit të qafës së mitrës. Zgjerimi i vaksinimit dhe zbatimi i programit të skriningut përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, ndërsa gratë që të informohen pranë Qendrave të Mjekësisë Familjare për kontrollet dhe mundësitë e skriningut.

Accessibility Toolbar

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors