Ministri i Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, priti në takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, z. Borut Blaj, me të cilin bisedoi për zhvillimet në shëndetësi dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ministri Vitia dhe ambasadori Blaj diskutuan për prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, me theks te investimet, reforma e sistemit shëndetësor dhe digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore.
Vëmendje të veçantë i kushtuan bashkëpunimit për ofrimin e kujdesit shëndetësor në raste fatkeqësish dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.
Në këtë kuadër, ata biseduan edhe për vizitën studimore që delegacioni nga Kosova do ta zhvillojë në Slloveni nga 6 deri më 9 dhjetor. Gjatë vizitës, delegacioni do të njihet me praktikat sllovene për integrimin e shërbimeve shëndetësore dhe trajtimin e sëmundjeve kronike.