Fillon fushata për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit

Me moton “Kontrollohu, për veten, për jetën!”, Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, hapi sot fushatën ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit.
Në hapjen e fushatës morën pjesë ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe kryetare e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, deputete, profesionistë shëndetësorë dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave që kontribuojnë në përballjen me kancerin e gjirit.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, znj. Albulena Haxhiu, theksoi se shumë gra, për shkak të përgjegjësive të përditshme, i lënë nevojat e tyre në fund. Ajo bëri thirrje për mbështetje nga familja dhe shoqëria, në mënyrë që gratë të kenë kohë të kujdesen për shëndetin e tyre. Znj. Haxhiu nënvizoi se kujdesi dhe përkushtimi duhet të vazhdojnë edhe pas përfundimit të Tetorit Rozë, për aq kohë sa gratë që presin diagnozën apo përballen me trajtimin kanë nevojë për mbështetje.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, theksoi se shqetësimet shëndetësore nuk duhen injoruar dhe kontrollet nuk duhen shtyrë, pasi zbulimi dhe trajtimi i hershëm rrisin mundësitë për shërim. Ai rikujtoi se mamografia është falas në shëndetësinë publike që nga viti 2023 dhe se këtë vit do të shtohen edhe tetë mamografë të rinj në komunat ku mungojnë.
Kryeministri veçoi përparimin në diagnostikimin e hershëm, duke theksuar se në vitin 2025, mbi 53,4% e rasteve të kancerit të gjirit janë diagnostikuar në stadet e hershme. Ai përmendi gjithashtu ndërhyrjet për rindërtimin e gjirit të kryera gjatë tre viteve të fundit në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në QKUK, të gjitha falas dhe pa listë pritjeje.
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, theksoi se përgjegjësia institucionale nis me ndërgjegjësimin dhe vazhdon me sigurimin e shërbimeve të qasshme e cilësore, nga kontrolli dhe diagnostikimi deri te trajtimi dhe rehabilitimi.
Ai rikujtoi se mamografia ofrohet falas gjatë gjithë vitit. Përmes Planit Kombëtar të Skriningut për Kancerin e Gjirit dhe investimeve në mamografë të rinj statikë digjitalë, po zgjerohet qasja në kontrolle dhe diagnostikim të hershëm. Gjatë tetorit, mamografi mobil do të jetë në shërbim të qytetareve, nga Dragashi deri në Leposaviq.
Ministri Vitia veçoi edhe modernizimin e Klinikës së Onkologjisë, avancimin e radioterapisë me dy akseleratorë të rinj dhe rritjen e buxhetit për barna onkologjike nga 8 në 22 milionë euro. Ai theksoi se këto investime ndihmojnë në diagnostikim në kohë, trajtim cilësor dhe kujdes të dinjitetshëm për pacientët.
Gjatë muajit tetor, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, profesionistët e fushës dhe organizatat partnere, do të zhvillojë aktivitete informuese dhe ndërgjegjësuese në të gjithë vendin.
Ministria u bën thirrje qytetareve të kujdesen për shëndetin e gjirit, të kryejnë kontrollet me kohë dhe të shfrytëzojnë shërbimet që ofrohen në institucionet publike shëndetësore.
Kontrollohu, për veten, për jetën!

Accessibility Toolbar

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors