Përdorimi i përgjegjshëm i antibiotikëve, prioritet në luftën kundër rezistencës antimikrobike

Në kuadër të Javës Botërore të Ndërgjegjësimit për Rezistencën Antimikrobike 2026, ministri i shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, theksoi rëndësinë e përdorimit të drejtë të antibiotikëve dhe angazhimin e institucioneve për parandalimin e rezistencës antimikrobike.

Në fjalën e tij, ministri Vitia vuri në pah se përdorimi i antibiotikëve pa recetë dhe pa këshillën e mjekut mbetet shqetësim, duke theksuar se rezistenca antimikrobike e bën trajtimin e infeksioneve më të vështirë dhe rrezikon shëndetin e pacientëve.

Ai theksoi hapat e ndërmarrë përmes Planit Kombëtar të Veprimit kundër Rezistencës Antimikrobike, forcimit të kapaciteteve laboratorike dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Ministri u bëri thirrje profesionistëve shëndetësorë, farmacistëve dhe qytetarëve që të kontribuojnë në përdorimin e përgjegjshëm të antibiotikëve, duke shmangur vetëmjekimin dhe përdorimin e tyre pa recetë: “Profesionistëve shëndetësorë u bëj thirrje të ndjekin udhëzimet dhe t’ua shpjegojnë pacientëve vendimet për trajtimin. Farmacistëve u kërkoj të respektojnë dhënien e antibiotikëve vetëm me recetë. Qytetarët i ftoj të kërkojnë këshillë mjekësore, të shmangin vetëmjekimin dhe të ndjekin udhëzimet e trajtimit”.

Ministria e Shëndetësisë do të mbështesë zbatimin e komponentës shëndetësore të Planit Kombëtar të Veprimit kundër Rezistencës Antimikrobike, në kuadër të qasjes ‘Një Shëndet’, në bashkëpunim dhe koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Ministri garantoi se ky angazhim do të trajtohet si prioritet institucional, duke siguruar koordinimin e institucioneve shëndetësore dhe përcjelljen e rregullt të zbatimit të masave të parapara.

Accessibility Toolbar

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors