Ministria e Shëndetësisë ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “Përtej Tetorit Rozë – Së bashku për shëndetin”, me qëllim të theksimit të rëndësisë së vazhdimit të angazhimit institucional dhe shoqëror për parandalimin, diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e kancerit të gjirit, edhe përtej fushatës së Tetorit Rozë.
Në këtë tryezë morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila, Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, znj. Saranda Bogujevci, Drejtoresha Ekzekutive e IKSHPK-së, dr. Ardita Baraku, Drejtoresha e Organizatës “JetaVita”, znj. Nafije Latifi, partnerët strategjike të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe profesionistë shëndetësorë nga të tri nivelet e kujdesit shëndetësor.
Në fjalën e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, theksoi rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin dhe të kontrolleve të rregullta, duke nënvizuar se synimi është të shkurtohet distanca ndërmjet shqetësimit shëndetësor dhe kontrollit, diagnostikimit dhe trajtimit, si dhe ndërmjet qytetarëve që kërkojnë ndihmë dhe institucioneve që ofrojnë shërbime shëndetësore.
Ai bëri të ditur se aktualisht, mbi gjysma e rasteve të kancerit të gjirit zbulohen në stadet e hershme, kur mundësitë e trajtimit janë më të mira. Gjithashtu, theksoi se mamografia ofrohet falas gjatë gjithë vitit, me qëllim të lehtësimit të qasjes së grave në kontrolle dhe diagnostikim.
Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, theksoi se përmbyllja e aktiviteteve të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit nuk nënkupton përfundimin e angazhimit, por vazhdimin e tij gjatë gjithë vitit.
Ai theksoi se kjo tryezë kishte për qëllim të shërbente si hapësirë për të diskutuar rezultatet e fushatës, përvojat nga puna me pacientet dhe nevojat për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, si dhe për të identifikuar rekomandime konkrete që do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe profesional.
Një pjesë e rëndësishme e tryezës iu kushtua prezantimeve profesionale nga përfaqësuesit e institucioneve dhe klinikave shëndetësore, duke përfshirë shërbimet e kujdesit parësor shëndetësor dhe klinikat e përfshira në procesin e diagnostikimit, trajtimit dhe përcjelljes së pacienteve me kancer të gjirit.
Gjatë këtyre prezantimeve u paraqitën shërbimet, kompetencat dhe roli i secilit nivel dhe klinikë në rrugëtimin e pacientes, nga identifikimi i hershëm dhe referimi, deri te diagnostikimi, trajtimi dhe përcjellja e mëtejshme. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e bashkërendimit ndërmjet niveleve të kujdesit shëndetësor, referimit me kohë dhe sigurimit të trajtimit adekuat.
Diskutimet nxorën në pah nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe profesional, përmirësimin e qasjes në shërbime shëndetësore dhe sigurimin e kujdesit të vazhdueshëm e cilësor për gratë.
Përmes kësaj tryeze, Ministria e Shëndetësisë riafirmon përkushtimin për të vazhduar angazhimin në parandalimin, diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e kancerit të gjirit gjatë gjithë vitit, duke theksuar se kujdesi për shëndetin nuk kufizohet në një muaj të vetëm, por kërkon vëmendje, bashkëpunim dhe veprim të përbashkët të vazhdueshëm.