Ministri Latifi në Kongresin Botëror të Kirurgëve në Vjenë
- 31.01.2023
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, dr. Rifat Latifi po merr pjesë në Kongresin Botëror të Kirurgëve, i cili po mbahet në Vjenë të Austrisë.
Në ditën e parë të kongresit, gjatë sesionit “menaxhimi I katastrofave”, Ministri Latifi prezantoi një punim, i cili ishte përzgjedhur në mesin e tre punimeve më të mira të publikuara në pesë vjetët e fundit.
Në punimin e tij ai ka prezantuar konceptin e ndërtimit të Qendrave të Traumës dhe të Manaxhimit të Katastrofave, me përfshirje të Telemjekësisë.
Gjatë prezantimit, Ministri Latifi ka theksuar nevojën e bashkëpunimit të vendeve të zhvilluara, me vendet që kanë nevojë për të zhvilluar fushën e studimeve shkencore, duke veçuar Republikën e Kosovës, si një vend që duhet të përkrahet në këtë aspekt.
Me që, Kosova, sipas Ministrit Latifi është në vendin e gjashtë nga fundi i renditjes në mesin e vendeve të botës për punime shkencore të botuara në revista mjekësore, ai përmendi nevojën urgjente për bashkëpunim me vendet e zhvilluara me qëllim që të nxitet e zhvillohet më shumë kjo lëmi në Kosovë.
Nga viti 1998-2019, 46% të punimeve të publikuara nga Kosova, ose nuk e kanë autorin e parë të punimit nga Kosova, ose nuk kanë fare autor nga Kosova”, theksoi Ministri Latifi.
Ai ka prezantuar para audiencës një metodologji dhe teknikë të re për përkujdesje të pacientëve, që i nënshtrohet të ashtuquajturës “Kirurgji për Kontrollin e Dëmit”, me rezultate shumë të mira, përmes te cilës bëhet dializa e drejtpërdrejt peritoneale.
Në margjinat e këtij Kongresi, ministri Latifi, ka takuar Presidentin lokal të Kongresit, Prof. Dr. Albert Tuchmann, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin dhe mbështetjen për sistemin shëndetësor të Kosovës në fushën e hulumtimeve shkencore.