Ministri Vitia mori pjesë në tryezën e organizuar për trajtimin e personave të privuar nga liria
- 31.05.2023
Sot, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia mori pjesë në tryezën e organizuar nga Avokatit të Popullit lidhur me të gjeturat dhe rekomandimet e dala nga monitorimet e kryera nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, në Klinikën Psikiatrike dhe Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.
Ministri Vitia tha se shëndeti mendor është sfidë në vete. Sipas tij, përpos stigmës janë edhe vështirësitë në menaxhimin e rasteve të tilla që nga familja dhe deri tek institucionet e specializuara.
“Një çështje e tillë paraqet sfidë edhe në vendet më të zhvilluara. Kur e them këtë, kam parasysh se edhe vet Ligji i shëndetit mendor i cili në disa raste ka qenë vështirë i zbatueshëm. Për këtë qëllim, në planin legjislativ, është paraparë edhe ndryshimi i tij. Koncept dokumenti i ri tashmë është në fazën finale dhe të gjithë jeni të mirë se ardhur të kontribuoni në këtë proces”, tha ministri Vitia.
Në fjalën e tij, zv/ministri i Drejtësisë, z. Blerim Sallahu tha se sfidë kryesore do të jetë menaxhimi i rasteve me çrregullime mendore që kryejnë vepra penale dhe të cilët bëhen subjekt i trajtimit nga sistemi i drejtësisë.
Në këtë tryezë ku të pranishëm ishin edhe udhëheqës të sistemit të drejtësisë, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të institucioneve organet kompetente monitoruese si dhe me ato ligjore për të zbatuar ligjin dhe për të avancuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore në vend.