Ministri Vitia vizitoi depon qendrore të vaksinave së bashku me përfaqësuesit e Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës
- 31.03.2023
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia i shoqëruar nga drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, bashkë me përfaqësues të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, vizituan depon e re qendrore të vaksinave për Kosovën.
Me këtë rast nga afër panë investimin e kompletuar, pajisjet e reja dhe moderne të zinxhirit të ftohtë të cilat shërbejnë për ruajtjen e sigurt të vaksinave.
Ministri Vitia theksoi se ky investim me mbështetje të USAID, në vlerë të 1.3 milionë dollarëve, ka qenë i një rëndësie thelbësore në periudhën e pandemisë COVID-19 dhe tani do të shërbejë për ruajtjen e vaksinave në përgjithësi, pasi që shkalla e vaksinimit në Republikën e Kosovës, fatmirësisht, është e lartë krahasuar me shtetet e tjera.
Ky kapacitet i shtuar për ruajtjen e vaksinave do t'i ndihmojë profesionistëve shëndetësorë në shtrirjen efektive të mbulimit të vaksinimit, në mënyrë që secili fëmijë në Kosovë të jetë i mbrojtur nga sëmundjet e parandalueshme me vaksina.
Në këtë depo janë instaluar dhomat e ftohta, dhomat e ngrirjes, frigoriferët ultra-ngrirës me kapacitet prej 600 litrash, si dhe pjesa e thatë me sipërfaqe prej 575 m2 për magazinimin e artikujve shpenzues.