Konferenca përmbyllëse për Muajin Rozë, Kancerin e Gjirit e Mposhtim së Bashku

Publication Image

Nën moton “Kancerin e Gjirit e Mposhtim së Bashku”, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe institucione të tjera, si dhe me mbështetjen e Projektit AQH organizoi konferencën përmbyllëse për media në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit.
Në këtë ngjarje morën pjesë Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha-Bunjaku, Zëvendësministri i Shëndetësisë, Z. Arsim Berisha, U.D. Drejtoresha e IKShPK-së, Dr. Ardita Baraku, Drejtoresha e Qendrës “Jeta-Vita”, znj. Nafije Latifi, Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Dr. Izet Sadiku, si dhe drejtorët e klinikave dhe profesionistë shëndetësorë.
Në fjalën e saj, Zëvendësministrja Gexha theksoi se kjo fushatë ka pasur për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe mbështetjes së pacientëve që përballen me këtë sëmundje.
“Sot po shënohet përmbyllja e kësaj fushate, e cila e përmbledh përkushtimin dhe angazhimin e përbashkët të institucioneve tona, profesionistëve shëndetësorë dhe shoqërisë civile në luftën kundër kancerit të gjirit – një sfidë që kërkon përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e secilit qytetar”, tha Gexha-Bunjaku.
Po ashtu, U.D. Drejtoresha e IKShPK-së, Dr. Ardita Baraku theksoi se fuqia e ndërgjegjësimit, përkushtimi për veprime dhe veprimet e bashkuara për përkrahje dhe solidaritet janë tri çështje thelbësore në luftën kundër kancerit të gjirit.
Ajo shtoi se të gjitha aktivitetet të cilat ndihmojnë në ndërgjegjësim për zbulim të hershëm shkojnë në favor të pacientëve të cilët po ballafaqohen me këtë sëmundje.
Ndërsa, Drejtoresha e Qendrës “Jeta-Vita”, znj. Nafije Latifi, inkurajoi qytetarët që të kenë kujdes për shëndetin e tyre dhe falënderoi profesionistët shëndetësorë për bashkëpunimin e vazhdueshëm në këtë sfidë.
Muaji i vetëdijesimit për kancerin e gjirit është fushatë vjetore ndërkombëtare, që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë popullatën për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe burrat.