Me Mbrëmjen Rozë përmbyllet fushata ndërgjegjësuese për Kancerin e Gjirit
- 31.10.2024

Pas një sërë aktivitetesh për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit, Ministria e Shëndetësisë përmbyll fushatën njëmujore me Mbrëmjen Rozë. Kjo fushatë ka pasur për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe mbështetjen për pacientet që përballen me këtë sëmundje.
Tanimë, shërbime të tilla si rikonstruktimi i gjirit mund të realizohen falas në sistemin publik. Ky shërbim kushton mbi 3,000 euro në sistemin privat. Mamografia gjithashtu është falas. Barnat nga Lista e Barnave Esenciale janë shtuar dhe janë mbi 90% në dispozicion të grave me kancer të gjirit.
Megjithatë, parandalimi dhe zbulimi i hershëm mbeten më të rëndësishmet në përballjen me këtë sëmundje. Mbi 52% e rasteve tani zbulohen në fazën e parë ose të dytë të këtij kanceri, gjë që rrit dukshëm mbijetesën dhe përballjen me këtë sëmundje.
Konsultimi i rregullt me mjekët dhe angazhimi në vetëkontrolle janë jetike, pasi diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.
Ministria e Shëndetësisë inkurajon të gjitha gratë që të kryejnë vetëkontrolle, të vizitojnë mjekun dhe të kujdesen për shëndetin e tyre. Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të përzgjedhin mjekun familjar përmes Platformës E-Kosova, si porta e parë hyrëse në kujdesin shëndetësor.
Lufta jonë kundër kancerit të gjirit nuk përfundon me këtë fushatë. Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar që ta vazhdojë këtë betejë deri sa çdo grua në Kosovë të ketë qasje të plotë, cilësore dhe pa pengesa në kujdesin shëndetësor.
Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku!
Galeria









