Buxheti për shëndetësinë 296 milionë euro
- 01.02.2023
Zotimet e Qeverisë së Kosovës për shëndetësinë publike po jetësohen edhe me buxhetin e vitit 2023. Ky është buxhetimi më i madh i bërë ndonjëherë për sektorin e shëndetësisë në vendin tonë.
Kështu jemi duke punuar vit pas viti që ta plotësojmë synimin tonë që buxheti i shëndetësisë të kalojë 300 milionë euro.
Nga 198 milionë euro sa ishte në vitin 2022, për vitin 2023 kemi ndarë për shëndetësinë 296 milionë euro.
Për mbulimin e Listës së barnave esenciale janë buxhetuar 60 milionë euro kjo e shoqëruar me punën që tashmë ka nisur për revidimin e listës së re të barnave esenciale që do të ketë standarde të reja me kriteret e garantimit të cilësisë optimale.
Kemi rritur buxhetin me mbi 27% për Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë për listën e barnave esenciale dhe programeve specifike nga 11.2 milionë euro sa ishte në vitin 2022, në 21.2 milionë euro për vitin 2023.
Rritja e buxhetit për barna për vitin 2023 krahasuar me vitin 2022 është 89%.
Kemi rritur buxhetin për përmirësimin e infrastrukturës dhe shtimin e pajisjeve mjekësore, për përmirësimin e cilësisë dhe zgjerimin e shërbimeve të reja. Kjo do të mundësojë që të ketë materiale dhe mjete të mjaftueshme për profesionistët shëndetësorë dhe njëkohësisht do të rinovohen dhe modernizohen institucionet shëndetësore, qoftë ato spitalore dhe ato ambulatore.
Ndër pajisjet që do të sigurohen janë akceleratori linear për radioterapi, duke i mbuluar kësilloj nevojat sipas standardeve për numër të banorëve. Do të sigurohen rezonanca magnetike për spitalet e përgjithshme dhe do të kompletohen spitalet rajonale me pajisje për laboratorët e patologjisë e citologjisë.
Jemi siguruar që të buxhetohet përmirësimi i shërbimeve kirurgjike të cilat aktivizojnë shërbime të reja dhe me këtë do të zvogëlohet referimi i rasteve jashtë institucioneve shëndetësore publike.
Ngritja profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm profesional është synim i cili do të realizohet përmes këtij buxheti për specializime, subspecializime, hulumtime shkencore e sjellje të ekspertizës nga vendet e tjera.
Është buxhetuar punësimi i profesionistëve të rinj. Ky plan do të ecë bashkë me ndryshimin rrënjësor të programit të specializimeve dhe krahas vlerësimit të nevojave për burime njerëzore dhe shpërndarjen e tyre në nivelin dytësor e tretësor. Ndërsa jemi siguruar që të buxhetohet plotësimi i të gjitha nevojave në nivelin parësor ashtu që të mos ketë më asnjë Ambulancë të Mjekësisë Familjare të mbyllur pse nuk ka mjekë apo Qendër të mjekësisë familjare që nuk ofron shërbime të plota.
Ndaj e kemi rritur buxhetin për Grantin Specifik për shëndetësi për kujdesin parësor shëndetësor, duke shtuar edhe 300 pozita të reja për profesionistë shëndetësorë.
Në kujdesin dytësor dhe tretësor shëndetësor do të ketë edhe 100 pozita të reja shtesë për profesionistë shëndetësor të cilat duhet të shfrytëzohen për sektorët deficitarë dhe për të plotësuar ato shërbime mjekësore që janë në mungesë për shkak të burimeve njerëzore.
42 pozita të reja janë buxhetuar për inspektorët shëndetësor dhe farmaceutik, për të avancuar në synimin tonë në mbikëqyrjen e sigurimit të cilësisë e shërbimeve shëndetësore.
Kemi planifikuar për herë të parë në buxhetin e shtetit ndarjen e pakove të veçanta për nënat dhe fëmijët në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.
Po ashtu për herë të parë është buxhetuar pakoja mbështetëse për pacientet në Klinikën e Onkologjisë të prekur nga kanceri.
Po ashtu të buxhetuara janë dhe një seri aktivitetesh e veprimtarish që parashikohen të ndërhyjnë në transformimin e gjendjes dhe rritjen e cilësisë së vendimeve e shërbimeve edhe në AKPMM, IKShPK dhe bashkëpunimet ndërkombëtare.
Në buxhetin 2023 janë të planifikuara dhe mbështetja për mjekët që institucionet shëndetësore do të propozojnë për të sjellë nga mërgata, shqiptarë të rajonit dhe të huaj.
Ka ende dhe shumë punë për të bërë më drejtim të shërbimeve më të mira shëndetësore dhe në sigurimin e integritetit të plotë në këtë sektor. Por buxhetimi i duhur është nga hapat kyç për të mbërritur këtë.