Shënohet Java Botërore e Ndërgjegjësimit për Rezistencën Antimikrobike
- 27.01.2023
U.d. Ministrja e Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha Bunjaku, mori pjesë në tryezën në kaudër të “Javës Botërore e Ndërgjegjësimit për Rezistencën Antimikrobike”, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në fjalën e saj, Ministrja Gexha theksoi se Rezistenca Antimikrobike është sfidë e shëndetit publik me implikime socio-ekonomike, duke marrur parasysh përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve (sidomos në kujdesin parësor shëndetësor) dhe shitja në barnatore pa recetë të mjekut.
U përmend që rezistenca antimikrobike tashmë është futur edhe si nen i veçantë në Projektligjin aktual për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse nga Ministria Shëndetësisë. Aktivitetet dhe rekomandimet e planifikuara të planeve të veprimit kanë qenë në përputhje të plotë me Planin Global të Veprimit të OBSH për Rezistencën Antimikrobike dhe Konkluzat e Këshillit të Evropës për RAM të bazuar në qasjen “One Health”.
„Nga viti 2011-2018, Kosova ka shënuar ulje të ndjeshme në konsumin total të antibiotikëve prej 25%. Megjithatë, ende prijmë në Evropë me keqpërdorimin e antibiotikut ceftriakson“, theksoi dr. Gexha-Bunjaku.
Institucionet bartëse u zotuan në fuqizimin e koordinimit ndërsektorial me qëllim të ngritjes së vetëdijësimit në shoqëri dhe punonjësit shëndetësor, mbikqyrjës së zinxhirit të furnizimit farmaceutik, përdorimit racional të antibiotikëve, parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve, për të ngritur kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.