Ministria Vitia u njoftua nga Shpejtim Bulliqi për investimet e shëndetësisë në Komunën e Podujevës, u diskutuan projektet e përbashkëta
- 23.02.2023
Ministri Vitia u takua me kryetarin e Komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi, me të cilin biseduan për shtimin e kapaciteteve dhe shërbimeve shëndetësore në Komunën e Podujevës në kuadër të funksionalizimit të spitalit të qytetit.
Gjatë takimit si synime kryesore për këtë vit u diskutuan; Funksionalizimi i shërbimeve specialistike në objektin pranë shkollës "Enver Maloku" dhe ofrimin e shërbimeve të hemodializës në Komunën e Podujevës.
Bashkërisht, ata vizituan objektin ku janë paraparë që të ofrohen shërbimet specialistike, si dhe vizituan urgjencën mjekësore të qytetit e cila është në fazën e ndërtimit. Me këtë rast, kryetari i Podujevës z. Bulliqi bëri të ditur se projekti për ndërtimin e Qendrës së Urgjencës Mjekësore në Podujevë është falë marrëveshjes së bashkëpunimi në mes të Komunës së Podujevës dhe Organizatës “Chatar Charity”. Ky projekt që do të vihet së shpejti në shërbim të qytetarëve është në vlerë prej 1 milion e 650 mijë euro, nga të cilat mbi 1 milion euro janë donacion, ndërsa 600 mijë euro participim nga Komuna e Podujevës.
Ministri Vitia dhe kryetari i Podujevës , z.Shpejtim Bulliqi vizituan edhe Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gllamnik, projekt i cili gjithashtu është mbështetur nga organizata e Katarit në bashkëpunim me Komunën e Podujevës.
Vlera e këtij projektit është 225 mijë euro, ndërsa objekti ka sipërfaqe prej 250 m2 ku përfshihen dhoma për intervenim, dhoma për konsultim, dhoma e takimeve, dhoma e stomatologut, laboratori, barnatorja dhe të gjitha shërbimet që u nevojiten qytetarëve për të pasur shërbime shëndetësore cilësore në nivelin primar.