Ministri Vitia takoi nënkryetarin e SDC, Z. Laurent Torche, diskutuan për projektin “Shërbime shëndetësore të integruara”
- 23.02.2023
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia i shoqëruar nga zv/ministrja Dafina Gexha – Bunjaku, pritën në takim z. Laurent Torche, Zëvendës Shef i Bashkëpunimit, në Ambasadën Zvicerane; Merita Stavileci Mustafa, Zyrtare e Lartë e Programit (Ambasada Zvicerane) dhe Fabian Cenko, Udhëheqës i Ekipit në Projektin e Shërbimeve të Integruara Shëndetësore. Gjatë këtij takimi u bisedua për projektin që ka për synim zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të kujdesit shëndetësor në Kosovë që ofron kujdes cilësor, të përballueshëm dhe të integruar për pacientët me sëmundje jo ngjitëse.
Projekti “Shërbime shëndetësore të integruara", siç u tha në takim, do të zbatohet deri më dt. 30 Tetor 2026, ndërsa janë zgjedhur Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë dhe Spitali i Përgjithshëm në Pejë.
Ky projekt në vlerën të 5.5 milionë frangave ka për qëllim; Përmirësimin, disponueshmërinë dhe qasjen në shërbime shëndetësore cilësore në Spitalet e Përgjithshme të përzgjedhura.
Ministri Vitia u shpreh se ka kënaqësinë që të bashkëpunojë ngushtë për realizimin e këtij projekti, përmes të cilit synohet koordinimi më i mirë ndërmjet niveleve parësore dhe dytësore të kujdesit drejt shërbimeve të integruara shëndetësore. Një avancim i tillë në sistemin e shëndetësisë, do të përmirësojë gjendjen shëndetësore të pacientëve me sëmundje jo ngjitëse.
Gjithashtu, ministri Vitia tha se ky projekt do të jetë një ndihmesë e madhe për kornizat politike në nivel kombëtar, të cilat janë të favorshme për kujdesin e integruar që e ka në qendër pacientin. Ai u shpreh i kënaqur që ky projekt po jetësohet dhe kështu po zgjerohet bashkëpunimi nga niveli primar në atë sekondar me SDC, ndërsa tha se duhet të angazhohemi që qëndrueshmëria e këtij të projekti të jetë e garantuar për funksionimin e sistemit të shëndetësisë në të ardhmen.