Ministri Vitia vizitoi institutet para-klinike në QKUK dhe morgun ku u investuan 654 mijë euro

Publication Image

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia i shoqëruar nga u.d drejtoresha e SHSKUK Dr. Narqize Arenliu – Hoxhaj, udhëheqësja e Bordit, Dr. Aida Rexhepi dhe anëtarja e Bordit, Dr. Agreta Gecaj, vizitoi hapësirat e instituteve para-klinike për të parë nga afër realizimin e projektit që kishte për qëllim përmirësimin e kushteve të punës dhe investimet në infrastrukturë.

 

Në këtë projekt në vlerë të 654 mijë eurove, janë të përfshira pajisjet mjekësore dhe inventarizimi i dorëzuar në institutet para-klinike, furnizimi dhe instalimi i tyre, pajiset fikse të mobilizuara, pajisjet lëvizëse të specializuara dhe furnizimet për institutet para-klinike.

 

Gjatë takimi ministri Vitia u njoftua me shërbimet që ofrohen në këto klinika si dhe premtoi se do të merren për bazë kërkesat për investime të mëtutjeshme për përmirësimin e kushteve të punës me qëllim të shërbimeve sa më të mira.

 

“Shërbimet paraklinike janë shumë të rëndësishme. Jam shumë i interesuar për t'i dhënë një dimension tjetër këtyre shërbimeve. Ne jemi të përkushtuar që çdo nevojë për investime që vjen nga ju së pari, ne t'i përgjigjemi sa më mirë e shpjet që është e mundshme. Jemi duke bërë një plan përveç se investiv edhe në racionalzimin e resurseve njerëzore, krejt kjo për të racionalizuar kohën e cila do të mund të përdorët në të mirë të shërbimit të qytetarëve.” – tha ndër të tjera Ministri Vitia.

Ky projekt ishte paraparë të realizohej në kuadër të bashkëpunimit me Bankën Botërore për rritjen e kapaciteteve për Covid-19, e ku një prej aktivitetet ishte edhe ndërtimi i instituteve para-klinike.