Ministri Vitia dhe Minstrja Manastirliu diskutuan për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë midis Kosovës dhe Shqipërisë
- 25.04.2023
Sot, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi, realizoi takim përmes platformës digjitale “Zoom” me Ministren e Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë, znj. Ogerta Manastirliu dhe ekipin e saj, më të cilën bashkëbiseduan lidhur me thellimin e bashkëpunimit përmes marrëveshjeve të reja midis dy shteteve.
Gjatë këtij takimi u diskutua për themelimin e grupit punues të përbashkët, i cili do të analizojë zbatimin e marrëveshjes që është nënshkruar në të kaluarën, si dhe do të shqyrtojë të gjitha propozimet që kanë për qëllim shtrirjen e bashkëpunimit në fusha që janë në interes të qytetarëve, por edhe të shkëmbimit të përvojave ndër-institucionale.
Në takim u diskutua që lista finale e propozimeve për marrëveshjet që do të nënshkruhen në mbledhjen e ardhshme të përbashkët, të dakordohet dhe të hartohen nga grupi i përbashkët punues.
Marrëveshjet në të ardhmen, ndër të tjera, do të kenë për bazë trajnimet dhe shkëmbimin e përvojave, shërbimet shëndetësore për qytetarët e të dy shteteve, bashkëpunimin ndërinstitucional midis Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK-së) dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nëna Tereza” në Tiranë, etj.