GIZ i dorëzon Ministrisë së Shëndetësisë pajisje për menaxhimin e mbetjeve medicinale në vlerë prej 208, 675 euro
- 02.05.2023
Ministria e Shëndetësisë dhe Agjensioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) nënshkruan sot aktin e dorëzim pranimit të pajisjeve medicinale për mbeturina medicinale, të cilat GIZ i ka siguruar për Ministrinë e Shëndetësisë. Në ceremoninë e këtij nënshkrimi ishin të pranishëm Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Joern Rohde, të cilët paraprakisht zhvilluan një takim, ndërsa nënshkrimi i dorëzim-pranimit të pajisjeve u bë nga Sekretari i Përgjithshëm të MSh-së, Dr. Naim Bardiqi dhe drejtori i GIZ në Kosovë, z. David Oberhuber. Ministri Vitia tha se sigurimi i pajisjeve për mbeturina medicinale është një kontribut i vlefshëm i Qeverisë së Gjermanisë përmes GIZ, në funksion të menaxhimit më të mirë të mbetjeve medicinale dhe ruatjes së shëndetit publik. Ambasadori Joern Rohde tha se ky është një kontribut për ta ndihmuar menaxhimin e mbetjeve medicinale, për të ndihmuar për një Kosovë më të shëndetshme dhe gjithashtu për ta përgatitur Kosovën për rrugën e saj për në Bashkimin Evropian. GIZ ka siguruar një numër të pajisjeve për menaxhimin e mbetjeve medicinale të cilat do t’u dorëzohen 34 Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në komuna të Kosovës, sikurse edhe një transportuesi për bartje të mbeturinave medicinale. GIZ, gjithashtu, në emër të Qeverisë Gjermane, është duke mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë të zhvillojë Planin për Menaxhimin e Mbeturinave Medicinale (PMMM). Vlera e pajisjeve për menaxhimin e mbetjeve medicinale nga GIZ për Ministrinë e Shëndetësisë është 208,675.00 €