Promovohet Manuali i Parë i Procedurave Standarde të Infermierisë në Kujdesin Parësor Shëndetësor
- 12.05.2023
Në Ditën ndërkombëtarë të Infermierisë, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia prezantoi “Manualin e parë të Procedurave Standarde të Infermierisë në Kujdesin Parësor Shëndetësorë”.
“Ky manual do të kontribuojë në përmirësimin e rezultateve, cilësisë dhe efektivitetin e shërbimeve të infermierisë në nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Republikën e Kosovës”, tha Ministri Vitia.
Në promovimin e këtij manuali, ku ka marrë pjesë edhe z. Nicu Fota, udhëheqës i Projektit Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm (AQH), dhe përfaqësues të komunitetit të infermierisë në Kosovë, Ministri Vitia theksoi se qëllimi kryesor i “Manualit të parë të Procedurave Standarde të Infermierisë në Kujdesin Parësor Shëndetësorë” është që procedurat standarde të kontribuojnë në avancimin e mëtutjeshëm, përmirësimin e rezultateve, cilësisë dhe efektivitetin e shërbimeve të infermierisë, në nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Republikën e Kosovës.
“Roli i infermierisë është shumë i rëndësishëm në sistemin e kujdesit shëndetësor, pasi përfshin të gjitha ciklet e jetës së njeriut, nga kujdesi për të porsalindurin deri te kujdesi paliativ,promovimi i shëndetit dhe parandalimi i sëmundjeve, si dhe pjesëmarrja në politikë-bërjen shëndetësore dhe bashkëpunimi me shoqatat e ndryshme, odat e profesionistëve shëndetësor dhe institucionet arsimore”, theksoi Ministri Vitia.
Manuali i parë i Procedurave Standarde të Infermierisë në Kujdesin Parësor Shëndetësorë është përgatitur ekskluzivisht dhe është i obligueshëm për zbatim gjatë punës profesionale/praktike të infermierëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Në vazhdën e aktiviteteve të planifikuara, Ministria e Shëndetësisë ka formuar dy grupe punuese që tashmë janë duke vepruar, për hartimin edhe të dy manualeve për PSO:
1) Manuali i II-të për PSO – Infermieria në KPSH – Kujdesi infermieror në komunitet, që është vazhdimësi nga Manuali i parë që u promovua sot, dhe
2) Manuali i I-rë për PSO – Infermieria në kujdesin dytësor dhe tretësor shëndetësor, që do të përgatitet deri në fund të vitit.
Në këtë promovim, Ministri Vitia, shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kontribuuan në hartimin e manualit, i cili shërben si udhërrëfyes që shërbimet e kujdesit infermieror të jenë të cilësisë së standardizuar, duke qartësuar rolet dhe përgjegjësitë e infermierëve në përmirësimin e sigurisë, cilësisë dhe efikasitetit të kujdesit infermieror në mënyrë të vazhdueshme, gjë që ndikon drejtpërdrejtë pozitivisht në ofrimin e kujdesit shëndetësor.