Ministri Vitia mori pjesë në prezantimin e projektit “Nanogrimcat në Mjedis dhe Kërkimet Mjekësore”
- 06.06.2023
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia mori pjesë sot në takimin për prezantimin e projektit Rritja e kapaciteteve kërkimore në Kosovë, “Nanogrimcat në Mjedis dhe Kërkimet Mjekësore”, i organizuar dhe implementur nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe partnerët e projektit-King College London-lider, Universiteti i Milanos dhe Universiteti i Parmës (Itali), financuar nga Komisioni Evropian.
“Ndikimi i ndotësve në shëndetin e njeriut dhe evidencat shkencore janë një shqetësim serioz, ndonëse ende nuk ekzistojnë mekanizma të saktë të matshme. Prandaj, Nanotoksikologjia dhe ngritja e kapaciteteve në këtë fushë, është një domosdoshmëri për të trajtuar nivelin e matjes së grimcave që shkaktojnë dëm në shëndetin e njerëzve. Ministria e Shëndetësisë është jashtëzakonisht e interesuar dhe e gatshme që të kontribuojë në ngritjen e resurseve humane në këtë fushë me qëllim të përmirësimit të situatës së mjedisit në të cilin jetojmë. Për të avancuar në këtë drejtim, sigurisht që studiuesit duhet të na ofrojnë më shumë njohuri dhe detaje për situatën reale në mënyrë që edhe në si vendimmarrës, të japim përkrahjen tonë ku zëri i profesionistëve do të jetë kryefjalë e veprimeve tona”, tha Ministri Vitia.
“Si Qeveri, bashkë me të gjitha institucionet relevante dhe partnerët tanë, do të angazhohemi edhe për fushatat vetëdijësuese për impaktin e ndotësve në shëndetin tonë....Ky projekt, përgjatë 30 muajve sa do të zgjasë, jam i sigurt që do të jetë në funksion të mobiliteteve akademike, përmes projekteve shkencore që përveç se do të avancojnë njohuritë e studiuesve tanë, njëkohësisht do të ndikojnë që në të ardhmen shëndeti publik të jetë më i sigurt. Kjo, ngaqë përmes aktiviteteve të planifikuara, hulumtuesve tanë do të mundësohet që të fitojnë shkathtësi kërkimore, ndërsa në universitetin tonë do të zgjerohen kapacitetet sa i përket fushës së kërkimit të mjedisit dhe nano-mjekësisë”, theksoi Ministri Vitia.