Akseleratori i ri në Klinikën e Onkologjisë, së shpejti në shërbim të pacientëve, para afatit të planifikuar
- 18.07.2023
Sot, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia vizitoi Klinikën e Onkologjisë në QKUK ku pa nga afër punimet për vendosjen e akseleratorit të ri.
Ai u njoftua se akseleratori në Klinikën e Onkologjisë është në fazën finale të montimit mekanik. Së shpejti do të instalohen softuerët, testimi dhe kalibrimi që të jetë në shërbim të pacienteve më herët sesa afatet e planifikuara.
Ky investim është në vlerë të 1 milion e 444 mijë eurove.
Me akseleratorin e ri, do të ulen ndjeshëm rradhët e pritjes për radioterapinë, duke siguruar trajtimin me akseleratorë të avancuar të gjeneratës së fundit, ku fokusimi i rrezeve jonizuese në inde është i sigurtë për organizimin dhe përmirëson cilësinë e trajtimit me radioterapi.
Me akseleratorin e gjeneratës së fundit, stafi shëndetësor i shërbimit onkologjik, do të ketë mundësinë që për pacientët të aplikojnë teknikat më bashkëkohore sipas standardeve dhe të shtojë vëllimin e punës.