Rritet cilësia e shërbimeve për qytetarët në Klinikën e Onkologjisë, reduktohen rastet e trajtimit jashtë vendit
- 11.08.2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizituan Klinikën e Onkologjisë në QKUK për të parë nga afër punimet të cilat kanë filluar lidhur me investimet që do ta transformojnë rrënjësisht këtë klinikë.
Sot, ka hyrë në funksion edhe aparatura e re për terapinë rrezatuese e gjeneratës së fundit, para afatit të planifikuar, me ç'rast deri në fund të vitit, do të largohen në tërësi listat e pritjes për radioterapinë, si dhe do të përmirësohet cilësia e trajtimit me radioterapi. Kjo është aparatura e dytë për terapinë rrezatuese që është siguruar për të qenë në dispozicion të shërbimeve onkologjike.
Gjatë kësaj vizite Kryeministri Kurti foli për rëndësinë e funksionalizimit të kësaj aparature, të dytën e këtij lloji, dhe për vëmendjen që i ka dhënë qeveria shëndetësisë me buxhetin e këtij viti, me të cilin është rritur për 50% dhe në kuadër të të cilit rreth 60 milionë euro janë ndarë për listën esenciale të barnave.
"Në Institutin e Onkologjisë këtu punojnë gjithsej 24 mjekë, janë edhe 6 fizikantë si dhe janë 40 infermierë. Ne i falënderuam të gjithë ata për punën e madhe që po e bëjnë dhe jo vetëm kaq, njëkohësisht në kohë rekord kanë arritur që ta bëjnë instalimin dhe montimin e kësaj pajisje, pra të akseleratorit të dytë, nga e cila do të përfitojnë të gjithë pacientët. Deri tash koha e pritjes ka qenë gjashtë deri në tetë javë, ndërkaq sipas drejtorit Ilir Kurtishi kjo kohë do të vije në zero me shumë gjasa brenda këtij viti", deklaroi kryeministrit Kurti.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se intervenimet e menjëhershme në Klinikën e Onkologjisë kanë qenë të natyrës emergjente. Sipas tij, me fillimin e punës së aparaturës së re për terapinë rrezatuese, deri në fund të vitit pritet të largohet në tërësi lista e pritjes. Me akseleratorin e ri, fokusimi i rrezeve jonizuese në inde është i sigurt për organizmin dhe përmirëson cilësinë e trajtimit me radioterapi. Falë specifikave të akseleratorit të ri, shumë pacientë nuk do të kenë nevojë të shkojnë për trajtim jashtë vendit.
“Me akseleratorin e gjeneratës së fundit, stafi shëndetësor i shërbimit onkologjik, do të ketë mundësinë që për pacientët të aplikojnë teknikat më bashkëkohore dhe të shtojë vëllimin e punës. Akseleratori i ri në vlerë të 1 milion e 444 mijë eurove është një aparaturë e avancuar në shërbim të qytetarëve. Deri në fund të vitit, nuk do të ketë më lista të pritjes për pacientët e kësaj klinike. Siç jeni të njoftuar, në Spitalin Regjional të Prizrenit ka filluar ofrimi i shërbimeve për pacientët e Onkologjisë, ndërsa janë bërë planifikimet që decentralizimi i disa shërbimeve të bëhet edhe në spitalet tjera regjionale. Gjithashtu, me nënshkrimin e kontratave të reja për infermierë, janë shtuar kapacitetet e stafit profesional shëndetësor që do të jenë në dispozicion të pacientëve”, tha ministri Vitia.
Klinika e Onkologjisë në QKUK është i vetmi institucion shëndetësor në vendin tonë që ofron shërbime specifike për pacientët me sëmundje malinje. Gjatë vitit të kaluar, në Klinikën e Onkologjisë kanë qenë të shtrirë gjithsej 348 pacientë, në 12 shtretër, të cilët kanë pasur 2 mijë e 348 ditë mjekimi. Janë realizuar 47 mijë e 351 vizita ambulantore, janë ofruar 32 mijë e 272 terapi me citostatik dhe janë trajtuar si raste të reja me sëmundje malinje 1 mije e 736 qytetarë.
Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti pas përfundimit të vizitës:
Mirëdita të gjithëve!
Ju falënderoj shumë që keni ardhur ta ndiqni këtë vizitë tonën në Institutin e Onkologjisë.
Unë këtu jam bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Dr. Arben Vitinë, me drejtorin e Onkologjisë, Dr. Ilir Kurtishaj, dhe gjithashtu me drejtorin e Shërbimit Spitalor Kliniko - Universitar të Kosovës, Elvir Azizin. Erdhëm që të bëjmë përurimin e akseleratorit të dytë linak, i cili është i teknologjisë më moderne që në kuadër të radioterapisë bën rrezatimin me rreze jonizuese, me saktësi maksimale në luftimin e tumoreve, duke mos dëmtuar edhe indet e tjera rrotull. Ajo që është e re në këtë pajisje është fakti se kjo teknologji e fundit i përshtatet sipërfaqes së tumorit dhe në këtë mënyrë pra arrin që të mos bëjë dëmtime anësore. Në Institutin e Onkologjisë këtu punojnë gjithsej 24 mjekë, janë edhe 6 fizikantë si dhe janë 40 infermierë. Ne i falënderuam të gjithë ata për punën e madhe që po e bëjnë dhe jo vetëm kaq, njëkohësisht në kohë rekord kanë arritur që ta bëjnë instalimin dhe montimin e kësaj pajisje, pra të akseleratorit të dytë, nga e cila do të përfitojnë të gjithë pacientët. Deri tash koha e pritjes ka qenë gjashtë deri në tetë javë, ndërkaq sipas drejtorit Ilir Kurtishi kjo kohë do të vije në zero me shumë gjasa brenda këtij viti. Pra nga gjashtë deri në tetë javë sa ka qenë koha e pritjes në listat e pacientëve, tash listat e tilla nuk do të jenë më, shumë shpejt për çështje pak muajve sepse e kemi edhe akseleratorin e dytë. Vlera e tij është 1 milion e 444 mijë euro dhe ne do të vazhdojmë që të mbështesim personelin tonë shëndetësor i cili punon me përkushtim maksimal, me devotshmëri, me profesionalizëm, me përgjegjësi për të gjithë pacientët të cilët vijnë këtu.
Në të njëjtën kohë është evidente që përkushtimi jonë për shëndetësinë i cili është shprehur me buxhetin për vitin 2023 është duke u vazhduar konkretisht me këso lloj investimesh.
Ju të gjithë e dini se buxheti për shëndetësinë është ngritur për 50 për qind, është 300 milionë euro dhe 1/5, rreth 60 milionë euro, i dedikohet listës esenciale të barnave.
Prandaj edhe vizita jonë është vizitë për t’i përgëzuar, për te shprehur mirënjohjen dhe falënderimin tonë për mjekët, infermierët dhe fizikantët, por njëkohësisht për të treguar zotimin tonë se do të vazhdojmë edhe më tej me këto investime në vijim. Për gjashtë muaj ka qenë plani që të bëhet instalimi dhe montimi i akseleratorit të dytë dhe është bërë për tre muaj e nëntë ditë. Ajo që është planifikuar për 6 muaj është bërë për tre muaj e 9 ditë.