Gjatë vizitës zyrtare në Pragë, Ministri Vitia u takua me Ministrin e Shëndetësisë të Republikës Çeke, z. Vlastimil Valek dhe vizitoi Spitalin Univers
- 16.08.2023
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia po qëndron në Republikën Çeke ku ka zhvilluar takim me Ministrin e Shëndetësisë, z. Vlastimil Valek dhe zv/ministrin Jakub Dvoracek. Pjesë e delegacionit që pritën ministrin Vitia ishin edhe znj. Marcela Kubicova, udhëheqëse e Departamentit të Bashkëpunimit Dypalësh dhe Organizatave ndërkombëtare, si dhe z.Ladislav Vilcek, përfaqësues referente Departamentit të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Çështjeve të BE-së.
Gjatë këtij takimi, Ministri Vitia e falënderoi Ministrin Valek, i cili njëkohësisht është edhe zv/Kryeministër për qëndrimin e Republikës Çeke në raport me Kosovën dhe ndihmën e këtij shteti.
U diskutua për një bashkëpunim të hapur, në shumë fusha, siç janë mundësia e trajnimeve të profesionistëve shëndetësor për të përfituar nga përvoja e një prej sistemeve më të avancuara të shëndetësisë, si dhe ekspertizat në fusha të caktuara, veçanërisht për çështjen e sigurimit shëndetësor me qëllim të sigurimit të qasjes së barabartë për qytetarët në kujdesin shëndetësor dhe lehtësimin e barrës financiare për pacientët dhe familjet e tyre.
Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Vitia i shoqëruar nga drejtori i ShSKUK-së, z.Elvir Azizi vizitoi edhe Spitalin Universitar në zonën Motol të Pragës (Motol University Hospital) që ofron shërbime në fushën e kujdesit të përgjithshëm dhe të specializuar dhe është objekti më i madh mjekësor në Republikën Çeke dhe një prej spitaleve më të mëdha në Evropë për shërbimet në pediatri.
Drejtori i këtij spitali, z. Miroslav Ludvik e njoftoi ministrin Vitia dhe bashkëpunëtorët se Spitali Universitar në Motol ju ofron pacientëve kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës në një nivel të krahasueshëm ndërkombëtarisht nga mosha prenatale deri në pleqëri, me një plan për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë.
Gjatë kësaj vizite, ministri Vitia pa nga afër punën në Departamentin Onkologjisë së Rrezatimit ku kryhen trajtime gjithëpërfshirëse multidisiplinare të sëmundjeve të kancerit (tumoret e ngurta dhe limfomat) në bashkëpunim me vende të tjera të specializuara të punës. Klinika e Onkologjisë është një nga dy qendrat në Republikën Çeke që fokusohet në trajtimin e tumoreve të rralla dhe është anëtare e rrjetit evropian të referencës për trajtimin e tumoreve të rralla si dhe u diskutua për mundësinë e trajnimit të mjekëve dhe fizikantëve në fushën e radioterapisë.