250 euro shtesa për inspektorët, shtohen 33 pozita të reja, Ministri Vitia, Zero tolerancë në rastet kur ka shkelje dhe drejtësi selektive
- 08.09.2023
Sot, Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia vizitoi stafin e Inspektoratit Shëndetësor dhe Inspektoratin Farmaceutik.
Gjatë këtij takimi, Ministri Vitia i njoftoi të pranishmit se kërkesat të cilat janë parashtruar nga ky institucion me qëllim të rritjes së performancës, tashmë janë realizuar.
"Duke e pasur parasysh rëndësinë vitale të punës së Inspektoratit, me prioritet kam trajtuar të gjitha kërkesat të cilat do të ndikojnë në performancën e këtij institucioni për mbrojtjen e shëndetit publik. Nga muaji shtator, të gjithë inspektorët do të marrin shtesa prej 250 eurove. Këto shtesa do të jenë në vazhdimësi. Po ashtu, në fazën finale është procesi i rekrutimit të tridhjetë e tre (33) inspektorëve, prej të cilëve 25 në Inspektoratin Shëndetësor, ndërsa tetë në Inspektoratin Farmaceutik. Planifikimet janë që të krijohen 42 pozita të reja, të cilat do të rrisin dinamikën e punës dhe cilësinë e performancës", tha Ministri Vitia gjatë këtij takimi.
Ministri kërkoi angazhim të shtuar, ndërsa tha se nuk do të ketë tolerancë në rastet kur ekziston dyshimi për drejtësi selektive.
"Me rritjen e numrit të inspektorëve dhe të shtesave në pagë, si dhe me plotësimin e kushteve të punës, presim angazhim maksimal në zbatimin e ligjit për të gjithë njëjtë", tha ministri Vitia.
Në këtë takim, U.D e udhëheqëses së Inspektoratit Shëndetësor, znj. Nora Kursani - Demjaha dhe udhëheqësja e Inspektoratit Farmaceutik, znj. Remzije Thaçi, raportuan për inspektimet e realizuara.
Ministri u njoftua se gjatë këtij viti janë realizuar 635 inspektime, prej të cilave 115 gjatë muajit të kaluar nga Inspektorati Farmaceutik.