Ministri Vitia ndau certifikatat për pjesëmarrësit e trajnuar në programin Dhuna në Baza Gjinore
- 08.09.2023
Sot, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia ndau certifikatat për pjesëmarrësit në trajnimin “Dhuna në Baza Gjinore” që është mbajtur në shtatë (7) regjione të Kosovës, ndërsa në kuadër të këtij projekti janë trajnuar 153 persona punonjës shëndetësor nga Kujdesi Parësor Shëndetësor (KPSh).
Me këtë rast, Ministri Vitia se këto aktivitete synojnë rritjen e njohurive të stafit shëndetësor në identifikimin, trajtimin dhe raportimin e rasteve të dhunës në bazë gjinore. Gjithashtu, të trajnuarit do të kenë mundësi të kontribuojnë edhe në zinxhirin e bashkëpunimit ndërinstitucional me synim të uljes së numrit të rasteve të dhunës në Kosovë dhe rehabilitimit të suksesshëm të viktimave.
“Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një nga shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut në botë sot. Përveç dëmit emocional dhe psikologjik, dhuna në baza gjinore viktimave mund t’u shkaktojë pasoja edhe në shëndetin seksual dhe riprodhues, përfshirë shtatzënitë e detyruara dhe të padëshiruara, abortet e pasigurta, etj. Andaj, duhet të angazhohemi për të forcuar barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe për të adresuar pasojat fizike dhe emocionale të dhunës me baza gjinore”, tha ministri Vitia.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin mjekë dhe infermierë nga regjione të ndryshme dhe drejtorë të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Ministria e Shëndetësisë përmes aktiviteteve të saj synon të promovojë rëndësinë e barazisë gjinore me qëllim të avancimit të të drejtave të njeriut, me theks të veçantë në fuqizimin e të drejtave të grave në Kosovë.