Ministri Vitia në 10 vjetorin e themelimit të Odës së Mjekëve të Kosovës, Synim i përbashkët përmirësimi i sistemit shëndetësor
- 19.09.2023
Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia bashkë me zv/ministren, Dr. Dafina Gexha- Bunjaku morën pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Odës së Mjekëve në Kosovë.
Në këtë ngjarje u tha se mjekët janë një pjesë thelbësore e shoqërisë dhe kontributi i tyre është jetik për mirëqenien tonë të përgjithshme. Gjithashtu, u theksua edhe angazhimi vetëmohues i personelit shëndetësor në rastin e përballjes me pandeminë Covid-19, ku 21 mjekë humbën jetën si pasojë e infektimit me COVID-19 duke qenë në vijën e parë të mbrojtjes. Kjo ngrit domosdoshmërinë e për përgatitjen e sistemeve të kujdesit shëndetësor për rreziqet e ardhshme dhe emergjencat e shëndetit publik.
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia tha se ngaqë sistemi i shëndetësisë shtrihet në disa nivele, angazhimi është që me veprime konkrete të organizojmë një qasje e cila do të ngërthente në vetvete zhvillimin e të gjithë sektorëve. Sipas tij, kjo është reflektuar edhe në koeficientin e ri për pagën e mjekëve në sektorin publik. Për herë të parë profesionistët shëndetësor janë trajtuar me paga dinjitoze duke u ranguar nder të parët nga vendet e rajonit.
“Vizioni i Qeverisë për ta prioretizuar shëndetësisë është manifestuar edhe me ndarjen e buxhetit më të lartë deri më tani, gjithnjë në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe sektorëve përbërës të sistemit të shëndetësisë. Jemi angazhuar që përmes ndarjes së buxhetit të përmirësojmë sistemin shëndetësor duke rritur qëndrueshmërinë dhe përshtatshmërinë në raport me nevojat e qytetarëve. Kemi rritur buxhetin nga 198 në 296 milionë Euro. E gjitha kjo do të përkthehet në investime e sigurim të shërbimeve sa më cilësore duke pas qytetarin në qendër. Për t’i realizuar objektivat duhet një bashkëpunim i ngushtë me të gjithë akterët. E sidomos me odat e profesionisteve shëndetësor”, tha ministri Vitia.
Ai ka falënderuar Odën e Mjekëve të Kosovës për gatishmërinë që të adresojnë nevojat dhe sfidat në sistemin e shëndetësisë, gjë që ndihmon nivelet vendimmarrëse për një qasje pro-aktive, shumë dimensionale, në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), Dr. Pleurat Sejdiu falënderoi të pranishmit dhe ripërsëriti gatishmërinë e OMK për angazhim për një sistem shëndetësor i cili adreson kërkesat dhe nevojat e profesionistëve shëndetësor me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për qytetarët tanë.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe Udhëheqësi i misionit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, Prof. Dr Frank Ulrich Montgomery, si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave të rëndësishme të shëndetësisë.