Ministria e Shëndetësisë hap fushatën për Ndërgjegjësimin Kundër Kancerit të Gjirit
- 06.10.2023
Nën moton “Zbulimi i hershëm-shpëton jetë”, në Institutin Kombëtar, është mbajtur konferencë lidhur me hapjen e fushatës për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit.
Në këtë takim, u tha se muaji i vetëdijesimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare, që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit, për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, te gratë dhe burrat në të gjithë botën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me angazhim të përbashkët, me investime në sistemin shëndetësor dhe me rritjen e vëmendjes dhe vetëdijes për rëndësinë e ekzaminimeve rutinore, mund ta minimizojnë rrezikun.
Ai gjithashtu tha se Qeveria është duke punuar, që terapitë për llojet e kancerit, të ofrohen përveç në nivelin terciar, edhe në nivelin sekondar të shëndetësisë.
Kryeministri Kurti tha se çdo e 8-ta grua, mund të preket nga kanceri i gjirit, prandaj, sipas tij, kjo duhet të nxisë kujdesin, për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm.
“Me hapjen e kësaj fushate, i bëjmë thirrje vajzave dhe grave që të kujdesen për veten duke u kontrolluar edhe kur nuk kanë shqetësim. Me vendosmërinë tonë për të siguruar barnat, kemi rritur ndjeshëm buxhetin për barna. Kosova sot ka dy pajisjet e teknologjisë së fundit për radioterapi”, tha Kurti.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se Ministria e Shëndetësisë ka miratuar, dhe se e kanë në zbatim Planin e ri të Veprimit për Edukim dhe Promovim Shëndetësor (2023-2025), përmes të cilit synojnë përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së popullatës, ku rëndësi i jepet edhe ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.
Ai tha se Strategjia Sektoriale Shëndetësore e Shëndetësisë (2023-2032) e cila miratohet së shpejti, adreson gjithashtu problematikën e sëmundjeve malinje ku përveç parandalimit parashihet edhe ngritja e kapaciteteve të reja si diagnostike ashtu terapeutike, përfshirë edhe krijimin e Qendrës për kujdes paliativ të përhershëm, një hallkë kjo që sipas tij, ka munguar brenda shërbimeve për personat e prekur nga sëmundjet malinje në Kosovë.
“ Qeveria jonë e ka ngritur buxhetin në 300 milionë për sivjet; duke bërë përmirësime në shërbimet onkologjike përmes sigurimit të akcelaratorit të ri linear dhe fuqizimin edhe të shërbimeve të tjera, para së gjithash atyre diagnostike me mamograf të ri, detektimin e kancerit të gjirit dhe rezonancë magnetike për patologjitë e tjera malinje”, tha mes tjerash Ministri Vitia.
Drejtori i Institutit Kombëtar, Prof. Dr. Naser Ramadani, tha se Instituti Kombëtar me Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, përkrahur nga UNFPA, NjP, BB, AQH dhe IHS, gjatë muajit tetor do të organizojnë aktivitete të ndryshme, me qëllim të informimit dhe vetëdijesimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
“Sipas të dhënave të mbledhura në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë vitit 2022 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 547 raste të reja me kancer të gjirit (543 gra dhe 4 burra)”- u shpreh ai.
Drejtoresha e Qendrës “Jeta-Vita”, Nafije Latifi, tha se qendra “Jeta-Vita” ka bashkëpunim të ngushtë me të gjitha klinikat, nëpër të cilat kalojnë pacientët, që nga diagnostikimi, deri te trajtimet.