Sëmundjen e kancerit të gjirit, do ta mposhtim bashkë!
- 10.10.2023
"Kur dëgjoj me sa forcë dhe entuziazëm ecni përpara, pas një beteje të gjatë dhe të rëndë, e kuptoj se sa forcë ka në brendësinë e secilës nga ju. Uroj që ky rrugëtim i vështirë të shërbejë si udhërrëfyes për të gjitha atë gra që sot përballën me sëmundjen e kancerit të gjirit dhe mjekimin e saj", kështu u shpreh Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia gjatë takimit me gratë të cilat e kanë mposhtur sëmundjen e kancerit të gjirit dhe përfaqësueset e organizatave jo qeveritare të cilat avokojnë për sensibilizimin e opinionit për detektimim e kësaj sëmundjeje në fazën e hershme.
Ky takim u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të muajit të ndërgjegjësimit për sëmundjen e kancerit të gjirit.
Gjatë këtij takimi, ministri Vitia dëgjoi rëfimet dhe sfidat e grave që kanë triumfuar mbi sëmundjen. Ai theksoi rëndësinë e kontrolleve rutinë të cilat janë të domosdoshme, si metoda më efikase e zbulimit të hershëm të sëmundjes. Gjithashtu, i njoftoi të pranishmit edhe për angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë në përkrahje të grave të cilat ballafaqohen me këtë sëmundje.
"Zbulimi i hershëm i sëmundjes nënkupton trajtim shumë më racional, rrjedhimisht terapi shumë më të kufizuar, gjë që bën më të lehtë kontrollimin e sëmundjes dhe siguron kualitet më të lartë të jetës. Andaj, mamografia duhet të jetë pjesë e rutinës gjatë kontrolleve shëndetësore, në veçanti tek moshat e rrezikuara", tha ministri Vitia.
Ministri e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në sigurimin e terapisë së nevojshme, investimim në aparaturat e sofistikuara për ekzaminim dhe terapi, shërbimin e terapisë fizikale, si dhe terapinë rikonstruktive si pjesë e domosdoshme e trajtimit kompleks dhe multidiciplinar të kancerit të gjirit.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, mbulohen të gjitha hallkat e procesit kompleks të shërimit dhe rehabilitimi të grave të cilat ballafaqohen me kancerin e gjirit.